Balluku tërhoqi këmbën zvarrë: Samir Mane, klienti “VIP” i SPAK/ Paraqitet me orare të personalizuara, del pa kamera dhe me heshtje mediatike

Në Shqipëri politika, oligarkët dhe media prej kohësh nuk ecin në korsi të ndara. Pushteti politik ka nevojë për paranë dhe mbështetjen e biznesit, oligarkët kanë nevojë për pushtetin, ndërsa një pjesë e medias mbahet financiarisht pikërisht nga reklamat e kompanive të mëdha. Një establishment ku secili ka nevojë për tjetrin dhe ku heshtja shpesh vlen po aq sa fjala.
Historia e Samir Manes në SPAK është një fotografi e kësaj marrëdhënieje.
Për disa njerëz, SPAK-u ka kamera, gazetarë dhe mikrofonë që presin te dera. Për Manen funksionon ndryshe: orare të personalizuara, hyrje pasdite, dalje në mbrëmje dhe një heshtje mediatike që përsëritet prej vitesh.
Oligarku u paraqit sërish dje në Prokurorinë e Posaçme, këtë herë rreth orës 18:00. Qëndroi afërsisht dy orë dhe doli në mbrëmje. Askush nuk e priste me pyetje jashtë. Asnjë lumë mikrofonësh, asnjë prej skenave që shohim zakonisht kur politikanë apo zyrtarë kalojnë pragun e SPAK-ut.

Këtë herë fijet çojnë te Belinda Balluku.
Paraqitja e Manes lidhet me verifikimet për dosjen e ish-zv.kryeministres dhe vilën e sekuestruar në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Po atë ditë në SPAK u paraqitën edhe drejtuesit e “Atelier 4”. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar të SPAK që sqaron në çfarë cilësie është pyetur Mane.
Por Green Coast nuk shkon për herë të parë në SPAK. Vetëm tre muaj më parë ndodhi e kundërta: BKH shkoi te Samir Mane.
Me vendim të GJKKO-së, agjentët kontrolluan vilën dhe zyrat e tij dhe sekuestruan telefonin celular, pajisje dhe materiale. Veprimet u kryen në kuadër të megaoperacionit të SPAK ndaj tre grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.
Në materialet e hetimit doli edhe Green Coast.
Dhe dolën përgjimet.
Në komunikimet e personave nën hetim flitet për një marrëveshje prej 3 milionë eurosh për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në Green Coast. Në bisedën e 24 shkurtit 2021, Artur Koçeku i thotë Hamzait se kishte folur me Ilir Shtufin dhe me “Zamirin”, të identifikuar në materialet hetimore si Samir Mane, dhe se kërkoheshin 3 milionë euro për futjen e tokës në kompleks. Hetuesit ngrenë dyshimin se 1 milion euro mund të ishte dhënë paraprakisht, ndërsa marrëveshja e diskutuar përfshinte ndërtimin e 40 vilave, 20% të tyre për Hamzain, si dhe një hotel me 120 dhoma.
Dhe media heshti.
BKH kontrollon një nga oligarkët më të fuqishëm të vendit. I merr telefonin. Në dosje ka kokainë, pastrim parash, Green Coast dhe përgjime për 3 milionë euro.
Heshtje. Harresë.
Kjo nuk ishte e vetmja herë. Ai është paraqitur më herët në SPAK, ndërsa emri apo kompanitë e tij kanë dalë edhe në materiale të lidhura me dosjen Ahmetaj dhe atë Meta-Kryemadhi.
Rasti Meta-Kryemadhi la një precedent që sot rëndon mbi çdo dosje tjetër ku shfaqet emri i Samir Manes: për episodin që lidhej me të, ndjekja penale nuk vazhdoi për shkak të parashkrimit.
Një herë e shpëtoi koha. Po tani, sa dosje të tjera po lihen qëllimisht të plaken?
Problemi shkon shumë përtej dosjeve që tashmë kanë dalë në publik. Ndër vite, rreth bizneseve dhe interesave të Samir Manes janë ngritur një seri çështjesh për kontrata, leje, prona, investime dhe marrëdhënie me pushtetin, për të cilat ai duhej të ishte thirrur, pyetur dhe hetuar nga SPAK. Por për shumë prej tyre nuk ka nisur ende asnjë hetim.
Lista e çështjeve rritet, ndërsa drejtësia hesht. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë afrohet i njëjti përfundim që pamë një herë për çështjet e hapura: parashkrimi.
Këtu historia nuk është më vetëm Mane.
Është establishmenti.
Njëri ka pushtetin. Tjetri paranë. I treti mikrofonin. Dhe kur interesat takohen, mikrofoni fiket.
Pastaj mbetet SPAK-u.
Nëse politika, paraja dhe media janë pjesë e të njëjtit establishment, SPAK duhet të provojë se nuk është hallka e katërt.
Sepse drejtësia nuk mund të ketë “orare të personalizuara”. Emrat e mëdhenj nuk mund të bëhen të padukshëm sapo kamerat fiken.
Këtë herë Belinda Balluku tërhoqi këmbën.
Dhe pas saj po dalin emra që prej vitesh kanë jetuar rehat brenda të njëjtit sistem.
Pushteti, paratë, lidhjet, reklamat dhe oraret e personalizuara mund ta shtyjnë përballjen me drejtësinë. Por asnjë privilegj nuk zgjat përgjithmonë.
Asnjë establishment nuk është i përjetshëm. Dhe as privilegjet e tij.