Skip to content
Kryesore

Dy vila të fshehura dhe 3 akuza të reja ndaj Ballukut/ Bardhi: “Pse SPAK hesht për arrestimin? Edhe sa të tjera duhet t’i zbulohen?”

· 2 min lexim

Tre akuza të reja, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, si dhe zbulimi i dy vilave të fshehura në dy resorte luksoze në bregdet, kanë rënduar pozitën penale të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Megjithatë, pesë ditë pas njoftimit të SPAK për akuzat e reja, në Kuvend nuk ka mbërritur një kërkesë e re për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar duke vënë në pikëpyetje heshtjen e SPAK për rëndimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut. Ai kërkon të dijë përse Prokuroria e Posaçme nuk po vepron pas provave dhe akuzave të reja, ndërsa e mbyll reagimin me pyetjen: “Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo ‘Aleancës së Valamarit’?”

Reagimi i Bardhit:

“Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.

Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.

Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.

Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?

Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?”