Skip to content
Kryesore

SPAK zbarkon në paraburgimin ku mbahet Ergys Agasi/ Kontroll blic në sektor, gjenden pajisje wireless dhe alkool

· 2 min lexim

SPAK ka urdhëruar një kontroll blic dhe të imtësishëm në paraburgimin e Bradasheshit, me fokus sektorin ku mbahet i izoluar Ergys Agasi, një prej personazheve kryesorë të dosjes së bujshme të tenderëve të AKSHI-t.

Gjatë kontrollit, në kuzhinën e këtij sektori janë gjetur dhe sekuestruar pije alkoolike dhe pajisje wireless. Sendet e gjetura janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekspertim.

Deri më tani nuk bëhet e ditur nëse pajisjet dhe pijet alkoolike lidhen drejtpërdrejt me Agasin apo me persona të tjerë që ndodhen në të njëjtin sektor. Megjithatë, kontrolli i urdhëruar nga SPAK pikërisht në sektorin ku mbahet Agasi vjen vetëm pak javë pas arrestimit të tij.

Ergys Agasi u kap në zonën e Plepave në Durrës, pas më shumë se tetë muajsh në arrati. Ai ishte lokalizuar fillimisht në Elbasan, ndërsa bashkë me të u arrestua edhe ish-efektivi i Policisë, Uljan Shpataraku.

Agasi kërkohej nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar pak javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.

Në qendër të së njëjtës dosje është edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. SPAK e ka marrë atë të pandehur në hetimin për tenderët e institucionit që ajo drejtonte, nën dyshimet se procedurat e prokurimit publik manipuloheshin për të favorizuar kompani të paracaktuara. Hetimi i SPAK-ut e lidh skemën e dyshuar të tenderëve me grupin ku përfshihen Agasi dhe Beqiraj.

Kontrollet me urdhër të SPAK-ut nuk janë ndalur vetëm te paraburgimi. Menjëherë pas arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut në Plepa të Durrësit, Policia ushtroi kontroll blic edhe në banesën e ish-efektivit Uljan Shpataraku në zonën e “Liqenit të Thatë”, me qëllim sekuestrimin e provave elektronike dhe dokumenteve që mund të lidhen me dosjen e AKSHI-t.

Kontrolli i fundit në Bradashesh ngre tashmë pikëpyetje se si kanë përfunduar pajisjet wireless dhe pijet alkoolike brenda sektorit të paraburgimit ku mbahet një prej të arrestuarve kryesorë të dosjes AKSHI dhe kujt i përkisnin ato. Përgjigjet pritet të dalin nga verifikimet dhe ekspertimi i materialeve të sekuestruara.