Armët që ekzistojnë për Nufin, por ende jo për Pucën/ Skandali i AAT thellohet: Kompania që “prodhon për konflikte” ka vetëm 2 punonjës

Një deklaratë e ministrit të Mbrojtjes, dokumentet e Tatimeve dhe pohimet e vetë administratores së Advanced Arms Technology nxjerrin një kontradiktë që kërkon urgjentisht përgjigje: ku janë prodhuar armët që Ermal Nufi deklaroi në Kuvend se tashmë po përdoren në konflikte?
Më 23 prill 2026, Nufi deklaroi publikisht:
“Dhe së fundmi kemi dhe shoqërinë AAT, Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë dhe këto armë siç e thashë edhe një herë, janë sot në përdorim në konflikte diku. Jo patenta fiktive.”
Ministri nuk foli për një projekt, një fabrikë që do të ndërtohej apo një prodhim që do të niste në të ardhmen. Ai tha se AAT prodhon armë dhe se ato janë sot në përdorim në konflikte.
Por dokumentet zyrtare të Tatimeve, të siguruara dhe publikuara nga Kapitali, tregojnë një panoramë krejt tjetër. Advanced Arms Technology rezulton me vetëm dy të punësuar: administratoren Arjeta Puca dhe magazinierin Serxhio Gj.

Asnjë punonjës tjetër prodhimi nuk rezulton në dokumentacionin e publikuar. As teknikë, as inxhinierë dhe as staf tjetër që do të shpjegonte një aktivitet prodhues armësh në përmasat e përshkruara nga ministri.
Dhe pikërisht këtu historia bëhet shumë më serioze.
Sepse edhe vetë Arjeta Puca, administratorja e kompanisë, kur foli publikisht më 10 shtator, nuk tha se AAT po prodhon aktualisht pushkë dhe pistoleta. Përkundrazi, ajo e vendosi këtë aktivitet në të ardhmen:
“Trafik armësh është më keq se trafik droge. Me licensa dhe kontrollin që kemi nuk mund të dalësh as duke i dhënë makinës me alkool jo të bësh trafik armësh. Edhe ne në të ardhmen kemi qef ta zgjerojmë gamën tonë dhe të prodhojmë, pushkë, pistoletë, dronë Made in Albania. Edhe kjo është një gjë krenarie.”
Pra kemi përballë dy deklarata që kërkojnë shpjegim.
Në prill, ministri i Mbrojtjes thotë se AAT prodhon armë dhe ato tashmë përdoren në konflikte. Në shtator, administratorja flet për prodhimin e pushkëve dhe pistoletave “në të ardhmen”. Ndërkohë, dokumentet e Tatimeve tregojnë vetëm dy punonjës.
Atëherë, çfarë armësh kishte parë Nufi të prodhoheshin?
Ku ishte fabrika? Kush punonte në të? Sa armë u prodhuan? Kur u eksportuan? Në cilin shtet shkuan dhe në çfarë konflikti po përdoren?
Këto pyetje marrin një peshë edhe më të madhe pas audiove të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ai ngre akuza të rënda për aktivitetin e Ron Yeffet, aksioner i lidhur me AAT.
Sipas pretendimeve të Ahmetajt mbi materialet audio, flitet për armë dhe municione që importohen nga Sudani dhe paketohen në Shqipëri. Kjo akuzë nuk është provuar nga një vendim gjykate dhe duhet hetuar. Por përmbajtja e saj e bën të domosdoshme zbardhjen e dokumentacionit doganor të kompanisë.
Sepse nëse AAT nuk kishte kapacitetin njerëzor për prodhimin që përshkroi ministri, ndërsa nga ana tjetër ekzistojnë pretendime për armë të ardhura nga jashtë dhe të paketuara në Shqipëri, atëherë shteti duhet të tregojë çfarë ka hyrë realisht në vend dhe çfarë ka dalë prej tij.
Vetë Puca, pasi u pyet për përgjimet e Yeffet, deklaroi:
“E pash në televizor përgjimin e Ronn Yefet dhe nuk kam asnjë reagim. Nuk di çfarë të them për atë, kush do, mund të vijë të kontrollojë, ne jemi të hapur.”
Atëherë duhet kontrolluar.
Duhet sekuestruar dhe verifikuar dokumentacioni doganor i AAT, licencat, faturat, kontratat, importet dhe eksportet. Duhet përcaktuar nëse kompania ka importuar armë, municione apo komponentë, çfarë ka eksportuar dhe drejt cilave vende.
Dhe mbi të gjitha, Ermal Nufi duhet të shpjegojë deklaratën që bëri në Kuvend.
Nëse AAT i ka prodhuar realisht armët që ministri tha se po përdoren në konflikte, dokumentet duhet të tregojnë ku, kur, nga kush dhe në çfarë sasie janë prodhuar.
Nëse nuk i ka prodhuar, atëherë ministri duhet të tregojë pse deklaroi të kundërtën para Parlamentit.
Por ekziston edhe pyetja tjetër: nëse armët kanë dalë vërtet nga Shqipëria, por nuk janë prodhuar këtu siç deklaroi Nufi, nga kanë ardhur dhe çfarë roli ka luajtur AAT?
Kjo është pika ku çështja nuk mund të trajtohet më si propagandë qeveritare apo përplasje politike.
Një ministër i Mbrojtjes ka deklaruar zyrtarisht se armë të një kompanie shqiptare janë në përdorim në konflikte. Kompania rezulton me vetëm një administratore dhe një magazinier, ndërsa vetë administratorja flet për prodhimin e pushkëve dhe pistoletave si plan për të ardhmen.
Armët që Nufi tha se ekzistojnë duhet të kenë një origjinë, një fabrikë, një faturë, një deklaratë doganore dhe një destinacion. Shteti duhet t’i nxjerrë.