Skip to content
Kryesore

“Airbnb” dhe kopsht zoologjik brenda burgjeve shqiptare/ Doçi: Suita me qira, luanë, arinj e pitbulla në qeli

· 3 min lexim

Një denoncim i pazakontë për situatën brenda burgjeve shqiptare është bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili deklaron se në një burg të sigurisë së lartë janë futur deri edhe kafshë të egra, ndërsa persona me fuqi financiare dyshohet se kanë krijuar ambiente luksoze brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Në emisionin “Breaking” në Top News, Doçi tha se bëhet fjalë për qen pitbull, arinj dhe luanë të vegjël, papagaj e kafshë të tjera, ndërsa pretendoi se për situatën ekzistojnë video, fotografi dhe denoncime konfidenciale.

“Është e çuditshme dhe gati e pabesueshme, por një burg i sigurisë së lartë në Shqipëri duket sikur ngjan me një kopsht zoologjik. Brenda tij janë futur qen pitbull, arinj të vegjël, luanë të vegjël, papagaj, e të tjera kafshë. Dhe kjo ndodh pikërisht në një burg të sigurisë së lartë.

Ka video, foto, informacione sekrete dhe denoncime konfidenciale lidhur me sigurinë në burgje. Sipas këtyre denoncimeve, situata nuk kufizohet vetëm te futja e kafshëve.

Figurat e krimit të organizuar dyshohet se kanë kontraktuar kompani ndërtimi, të cilat kanë hyrë në ambiente të burgjeve dhe kanë kryer ndërtime apo konstruksione brenda tyre. Por historia shkon edhe më tej.

Figurat e krimit të organizuar, për shkak të ndikimit dhe fuqisë së madhe financiare që kanë, dyshohet se kanë krijuar edhe suita të veçanta brenda disa burgjeve, të cilat më pas jepen me qira, duke krijuar një lloj biznesi brenda ambienteve të burgut.

Nëse do të interesoheshim për personat që ndodhen në këtë kategori, bëhet fjalë për individë nga bota e biznesit dhe e krimit, të arrestuar nga SPAK-u, të cilët kanë pasuri dhe para të investuara në ndërtime.

Bëhet fjalë për persona me profil biznesmeni, me fuqi të madhe financiare, të cilët nuk janë mësuar me kushtet e burgut dhe nuk kanë një të kaluar të gjatë kriminale apo përvojë të mëparshme në qeli.

Për ta, përballja psikologjike dhe emocionale me burgun mund të jetë e vështirë. Dhe pikërisht këtu, sipas denoncimeve, u ofrohen ambiente të veçanta, të cilat jepen me qira për ta bërë qëndrimin në burg sa më të lehtë.

Po, një lloj Airbnb brenda burgut, pikërisht kështu përshkruhet, ambiente të veçanta, me pagesë, ku qëndrimi synohet të jetë sa më komod për persona të caktuar”, u shpreh Doçi.

Pretendimet ngrenë pikëpyetje serioze mbi kontrollin dhe sigurinë brenda institucioneve penitenciare, pasi bëhet fjalë për ambiente ku, për shkak të nivelit të sigurisë, hyrja e personave, sendeve apo ndërhyrjet ndërtimore duhet t’u nënshtrohen procedurave dhe kontrolleve përkatëse. Deri në këtë fazë, deklaratat e Doçit mbeten denoncime publike që kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse.