Thellohet përplasja me Bankers/ Banorët e Marinzës bllokojnë naftën: “As operatorë, as autobotë në tokat tona”

Përplasja mes banorëve të zonës naftëmbajtëse të Marinzës dhe Bankers Petroleum po hyn në një fazë tjetër. Pas protestës së zhvilluar dy ditë më parë dhe mungesës së negociatave me kompaninë, banorët kanë vijuar reagimin, duke paralajmëruar tashmë bllokimin e aktivitetit në tokat e tyre.
Këtë mëngjes ata janë vendosur përballë sheshit satelit 3, ndërsa këmbëngulin në kërkesat e ngritura edhe gjatë protestës së mëparshme. Në qendër të konfliktit mbetet pagesa e qirave dhe kundërshtimi i uljes së vlerës së tyre nga 4 milionë në 2 milionë lekë të vjetra për dynym.
Por këtë herë banorët paralajmërojnë se nuk do të mjaftohen vetëm me protestën. Ata thonë se do të qëndrojnë në tokat e tyre dhe nuk do të lejojnë operatorët apo autobotët të vijojnë aktivitetin.
“Tani kemi vendosur që nga ora 07:00 secili do të qëndrojë në tokën e tij. Nuk do të lejojmë as operatorët as autobotët. Do të vijojmë me protestën deri në fund”, tha një prej banorëve.
Një tjetër protestues deklaroi:
“Kemi kohë që marrim të njëjtën përgjigje. Rrogat e operatorëve janë 4 milionë lekë. Nëse ai nuk e paguan do ta kthejmë tokën në gjendjen e tyre të mëparshme”.
Reagimi i sotëm vjen vetëm dy ditë pas protestës pranë zyrave të Bankers Petroleum në vendburim. Pavarësisht kërkesave të ngritura atëherë, nuk pati negociata mes banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë.
Pikërisht mungesa e një zgjidhjeje ka çuar në përshkallëzimin e qëndrimit. Nga protesta pranë zyrave të kompanisë, banorët tashmë paralajmërojnë bllokimin konkret të aktivitetit në pronat e tyre, duke mos lejuar hyrjen e operatorëve dhe autobotëve.
Ata kërkojnë pagesën e qirave dhe kundërshtojnë përgjysmimin e vlerës së tyre, ndërsa paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen derisa çështja të marrë zgjidhje.