Skip to content
Kryesore

14 punonjës, 220 mijë lekë pajisje e 947 milionë në bilanc/ Ahmetaj zbërthen TIMAK Defence: “Paratë janë nga buxheti”

· 4 min lexim

Vetëm 14 punonjës, 220 mijë lekë aktive afatgjata dhe kapital negativ, por rreth 947 milionë lekë aktive që, sipas Arben Ahmetajt, burojnë nga paradhëniet e buxhetit të shtetit. Ish-zëvendëskryeministri ka publikuar shifra nga pasqyra financiare e TIMAK Defence, duke e paraqitur kompaninë si shembullin konkret të mekanizmit që ai e quan “koncepti KAYO”.

Gjatë intervistës në “Çim Peka LIVE”, Ahmetaj pretendoi se struktura e ngritur në industrinë ushtarake funksionon me shtetin në pozicion minoritar, ndërsa privati kontrollon 80% të kompanisë dhe përfiton nga financimi publik pa investuar kapitalin që, sipas tij, duhej të sillte si investitor.

“Pra, kjo u mjafton shqiptarëve të kuptojnë që ky po klonon gjysmën në të gjitha shërbimet publike për t’i grabitur. Buxheti i shtetit sot është në gjakderdhje financiare. Pra, unë e ndava këtë audio-përgjim me qytetarët, që qytetarët të shohin vetë nga goja e aktorëve se si grabitet Shqipëria. Nga kush grabitet Shqipëria,” deklaroi Ahmetaj.

Ish-zëvendëskryeministri më pas u ndal konkretisht te TIMAK Defence dhe struktura e pronësisë së saj.

“Çfarë është T-MAC Defense, të dashur qytetarë? T-MAC Defense është një kompani e krijuar nga Kajo dhe nga Roni Efet me dikë tjetër. 80% i ka Roni Efet me dikë tjetër, dhe 20% i ka i shkreti shtet. Nëpërmjet Kajos, i shkreti shtet.”

Por pjesa më e fortë e denoncimit lidhet me bilancin financiar që Ahmetaj tha se kishte marrë me vete në intervistë.

Sipas tij, TIMAK Defence ka vetëm 14 punonjës me pagë mesatare prej rreth 860 eurosh, ndërsa aktivet afatgjata, ku përfshihen makineritë dhe pajisjet, arrijnë në vetëm 220 mijë lekë.

“T-MAC Defense ka 14 punonjës me një rrogë prej 860 eurosh. Pra, vlera e shtuar e tyre është gjithsej diku te 150 mijë euro në vit. Dhe, po të shohësh, ka totalin e aktiveve afatgjata. Totali i aktiveve afatgjata, të nderuar qytetarë, në një gjuhë të thjeshtë do t’i referohej makinerive dhe pajisjeve. Gjithsej ka 220 mijë lekë. Shifeni pak, 220 mijë lekë, zoti Peka. Pra, jemi duke folur për një kompani që edhe një kioskë e vogël është më e madhe.”

Nga këtu, Ahmetaj kaloi te ajo që e konsideron anomaline kryesore të bilancit: diferencën mes kapaciteteve të kompanisë dhe qindra milionë lekëve që shfaqen në aktive.

“Dhe shikoni pak aktivet afatshkurtra, në gjuhën popullore do ta thjeshtësoj. Shikojeni pak. Pra, totali i pasurisë, me demek, jo i pasurisë tamam, se është koncept tjetër kapitali, është 947 milionë lekë. Dhe të gjitha këto, që ta kuptoni, janë paradhënie. Janë paradhënie nga buxheti i shtetit.”

Sipas Ahmetajt, pikërisht këtu lind pyetja kryesore për partneritetin mes shtetit dhe privatit: nëse privati kontrollon pjesën dërrmuese të kompanisë, ku është kapitali që ka investuar vetë?

“Tani, kur u bë ligji, Roni do ishte investitor. Shifeni pak kapitalin. Kapitali është pasuria që vjen nga bashkëpronarët dhe pastaj trashëgohet dhe fitimi. Pra, akumulohet fitimi. Nuk dua të hyj në terma teknikë. Pra, kapitali… po ku janë paratë e Ronit që i ka investuar? Është negativ, zoti Peka, shikoje pak, është negativ.”

Ish-zëvendëskryeministri e përshkroi me gjuhë të ashpër atë që pretendon se po ndodh me kompaninë dhe fondet publike.

“Pra, kompani që ka futur tubin në kraharorin e buxhetit të shtetit dhe thith gjak nga aorta e buxhetit të shtetit. Procedurë pa tender, pa tender.”

Ahmetaj pretendon se ky nuk është një rast i izoluar, por modeli mbi të cilin po ndërtohet një pjesë e marrëdhënies së shtetit me kompanitë private: shteti krijon strukturën, mban një pjesë minoritare, ndërsa fondet publike dhe aktiviteti kalojnë drejt kompanive ku shumicën e zotëron privati.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për heshtjen e deputetëve socialistë që kanë votuar kuadrin ligjor për KAYO-n.

“Një anti-pseudo, anti-korrupsionist brenda grupit parlamentar, ka folur ndonjëherë për këtë? Ose për plaçkitësin? Jo. S’ka folur. Flet për çfarë të duash ti, edhe për eklipsin e hënës, po nuk merret me këtë. Se e njeh shumë mirë.”

Në fund, Ahmetaj e lidhi sërish çështjen me vendimmarrjen në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ndryshimet në drejtimin e Forcave të Armatosura.

“E mbani mend kur kam thënë që ka emëruar komandantin e forcave tokësore, e ka ndryshuar? Për këtë gjë e ka ndryshuar, se jo çdo njeri firmos me sy mbyllur. S’janë të gjithë Ermal Raketa.”

Akuzat e Ahmetajt mbi origjinën e 947 milionë lekëve, mungesën e investimit privat dhe procedurat pa tender mbeten pretendime të tij dhe kërkojnë verifikim përmes dokumentacionit financiar dhe kontratave përkatëse.

Por shifrat që ish-zëvendëskryeministri vendos në tryezë ngrenë një pyetje që qeveria duhet ta sqarojë: si mundet një kompani ku privati kontrollon 80%, me vetëm 14 punonjës, 220 mijë lekë aktive afatgjata dhe kapital negativ, të ketë rreth 947 milionë lekë në bilanc, ndërsa sipas Ahmetajt financimi vjen nga paradhëniet e buxhetit të shtetit?