Skip to content
Kryesore

Rama mburrej me armët “Made in Albania”, Ahmetaj: Vijnë nga Afrika, paketohen këtu dhe dërgohen në zona konflikti

· 4 min lexim

Vetëm pak javë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi me ceremoni industrinë ushtarake shqiptare dhe deklaroi se vendi po hynte në një fazë të re prodhimi “Made in Albania”, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza që, nëse provohen, bien ndesh drejtpërdrejt me narrativën e qeverisë.

Në intervistën për “Çim Peka LIVE”, Ahmetaj pretendoi se një pjesë e armatimeve nuk prodhohen në Shqipëri, por vijnë nga vende të Afrikës, paketohen këtu dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit.

Deklaratat e tij vijnë në kontrast të fortë me atë që Rama kishte prezantuar publikisht vetëm pak kohë më parë.

“Brenda 2028, ushtria shqiptare do t’i këtë të gjitha mjetet, të gjitha kapacitete, që nga makina më e lehtë, deri te armët më të sofistikuara. Do ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO-s, për numër forcash, për kilometër për territor, do jetë e pajisur me shumëçka tjetër që ka nisur të projektohet dhe prodhohet në vend,” deklaronte Rama.

Kryeministri kishte shkuar edhe më tej, duke folur për mundësinë që prodhimet shqiptare t’i shkonin edhe ushtrisë amerikane.

“Mos u çudisni të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu që do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane. Parafytyroni një ushtar të SHBA me prodhime ‘Made in Albania’. Kush do ta kishte imagjinuar sikur tua thoshin deri pak vite më parë. Kjo është Shqipëria tjetër që ne kemi ndërtuar dhe do nisë të japë të tjera lloj rendimentesh dhe të tjera lloj produktesh duke pasur këtu parasysh industrinë ushtarake”.

Por Ahmetaj paraqiti një version krejt tjetër të asaj që, sipas tij, po ndodh pas fasadës së industrisë së re ushtarake.

“Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh, jo në kuadër të marrëveshjes së NATO-s që ka Shqipëria me Ukrainën. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës që paketohen në Shqipëri dhe marrin rrugën.

Kemi shoqërinë Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë. Pra, Roni, i borxhit, i KAYOs, i TEC-it të Vlorës, i rezervës së naftës, do të bëjë trafik armësh.

Ermal Raketa ka detyrim t’u tregojë shqiptarëve çfarë armësh? Kush i prodhon? Nga kanë ardhur? Zoti Raketa thotë që përdoren në zona konflikti aktuale. Kjo është gafë penale, nxjerr sekretin dhe tregon trafikun e armëve të fshehur pas koncesioneve kriminale,” deklaroi Ahmetaj.

Në qendër të akuzave të tij janë Ron Yefet, TIMAK Defence, Advanced Arms Technology dhe modeli që Ahmetaj e quan “koncepti KAYO”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një strukturë ku shteti përdoret si mburojë, ndërsa aktiviteti ekonomik dhe paratë publike kanalizohen drejt kompanive ku kontrolli kryesor mbetet te privati.

Ahmetaj ka ngritur akuza edhe ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilit gjatë intervistës i referohet me pseudonimin “Ermal Raketa”.

Ai pretendon se deklarata e Nufit se armatimet përdoren në “zona konflikti aktuale” është një element që kërkon sqarim të menjëhershëm për origjinën, prodhimin dhe destinacionin e tyre.

“Ermal Raketa ka detyrim t’u tregojë shqiptarëve çfarë armësh? Kush i prodhon? Nga kanë ardhur?” tha Ahmetaj.

Në të njëjtën intervistë, ish-zëvendëskryeministri i kërkoi medias të hetojë edhe një rast me raketa të sekuestruara në jug të Italisë, duke pretenduar se mund të ketë lidhje me trafik armësh nga Greqia drejt Shqipërisë.

“Po. Unë i ftoj gazetarët investigativë, shihni pak atë rastin kur në Itali u kap një furgon me raketa. Mund të zbuloni mbrapa gjëra shumë interesante të trafikut të armëve nga Greqia për në Shqipëri.”

Ahmetaj nuk paraqiti gjatë intervistës një vendim gjykate apo hetim zyrtar që të provojë pretendimet e tij për trafik ndërkombëtar armësh, ndaj ato mbeten akuza të bëra publikisht prej tij.

Por përplasja mes dy versioneve është e fortë: nga njëra anë Rama promovon një industri që, sipas tij, projekton dhe prodhon armë e mjete ushtarake në Shqipëri dhe synon të arrijë deri te ushtria amerikane; nga ana tjetër, ish-zëvendëskryeministri i tij pretendon se armët vijnë nga Afrika, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen në zona konflikti.

Pikërisht kjo kontradiktë kërkon një përgjigje të qartë nga qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes: çfarë prodhohet realisht në Shqipëri, çfarë vetëm montohet apo paketohet, nga vijnë armatimet dhe cili është destinacioni i tyre përfundimtar?