Skip to content
Kryesore

Tronditje në futbollin e vajzave/ Vllaznia kampione tërhiqet nga kampionati, presidenti shpërthen ndaj FSHF-së: Na kanë persekutuar

· 2 min lexim

Vllaznia e vajzave, skuadra kampione e futbollit shqiptar, është tërhequr nga kampionati që pritet të nisë më 19 shtator, ndërsa presidenti i ekipit, Lazër Matija, e lidh vendimin me përplasjet e vazhdueshme me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Matija ka bërë të ditur se do të dorëhiqet nga drejtimi i klubit, duke ngritur akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar futbolli i vajzave në Shkodër.

“Kam parë strategji të gabuar, futbolli i vajzave në Shkodër ka qenë i persekutuar, kanë marrë futbolliste në Kombëtare dhe i kanë lënë në stol. Kam pasur debate për arbitrimin në futbollin e vajzave, kanë dashur të na heqin kampionatin, por nuk ia kanë dalë falë punës dhe sakrificës.”

Presidenti i Vllaznisë së vajzave pretendon gjithashtu se marrëdhëniet me FSHF-në janë tensionuar për shkak të dominimit të skuadrës shkodrane ndër vite.

Sipas Matijas, FSHF “është e mërzitur me Vllazninë, pasi ka dominuar për shumë vite” dhe në futbollin e vajzave, sipas tij, kërkon “të bëjë qoka”.

Tërheqja e ekipit kampion përpara nisjes së sezonit të ri përbën një zhvillim të fortë për futbollin e vajzave në Shqipëri, ndërsa akuzat e Matijas vendosin në qendër të debatit raportin mes Vllaznisë dhe Federatës.