Skip to content
Bota

Zgjerohet dosja ndaj Andrew Tate në Rumani, akuza të rënda për trafikim dhe aktivitet seksual me të mitur

· 2 min lexim

Hetimi ndaj Andrew Tate merr një tjetër kthesë në Rumani, ku prokurorët kanë ngritur akuza të reja ndaj influencuesit, mes tyre trafikim të të miturve, aktivitet seksual me të mitur dhe pastrim parash.

Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe vëllai i tij, Tristan Tate, i cili akuzohet për bashkëpunim në trafikimin e të miturve.

Hetimi është zgjeruar nga agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, pasi Gjykata e Apelit të Bukureshtit, në dhjetor 2024, e ktheu dosjen te prokurorët për rishikimin e një pjese të hetimit.

Autoritetet rumune po shqyrtojnë gjithashtu pretendimet se vëllezërit Tate kanë pastruar rreth 3 milionë euro, para që dyshohet se kanë ardhur nga trafikimi i qenieve njerëzore. Sipas hetimit, paratë dyshohet se janë kaluar përmes dy kompanive gjatë periudhës 2018-2022.

Andrew dhe Tristan Tate kanë mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre. Ata i kanë cilësuar çështjet penale si të pabaza dhe të motivuara politikisht.

Aktualisht, dy vëllezërit ndodhen në Shtetet e Bashkuara dhe po përpiqen të shmangin ekstradimin në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballen me rreth 60 akuza, mes tyre përdhunim, trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim seksual.

Dosja rumune ndaj Andrew dhe Tristan Tate vijon prej arrestimit të tyre në dhjetor 2022, ndërsa procesi gjyqësor ka avancuar ngadalë dhe hetimet ndaj tyre tashmë janë zgjeruar me akuza të reja.