“Biznesi” familjar shqiptar i kokainës në Angli/ Babai në krye, djali dhe vëllai merrnin porositë në WhatsApp: Deri në 9 mijë £ në një natë

Një rrjet familjar shqiptar i trafikut të kokainës, i ngritur si një “biznes” i mirëorganizuar në Angli, është goditur nga autoritetet britanike. Në krye të skemës qëndronte 44-vjeçari Rezart Balesi, ndërsa në aktivitet ishin përfshirë edhe djali i tij, Joshua Balesi, dhe vëllai, Refail Balesi. Porositë për kokainë merreshin përmes WhatsApp-it, u kalonin shpërndarësve dhe aktiviteti kriminal mund të gjeneronte deri në 9 mijë paund brenda një nate.
Rezart Balesi u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, ndërsa djali i tij 22-vjeçar, Joshua Balesi, mori 4 vite burg. Vëllai i Rezartit, 39-vjeçari Refail Balesi, u dënua me 5 vite e 3 muaj burg.
Detajet e bëra publike gjatë procesit në Manchester Crown Court zbulojnë mënyrën se si ishte organizuar rrjeti. Rezart Balesi konsiderohej figura kryesore e aktivitetit dhe përdorte lokalin “Village Bistro”, në Vernon Street, Greenmount, Bury, si bazë për veprimtarinë.
Ndërkohë, djali dhe vëllai i tij kontrollonin një linjë telefonike përmes së cilës klientët kontaktonin grupin në WhatsApp për të porositur kokainë. Porositë më pas u kalonin shpërndarësve të besuar, të cilët kujdeseshin për dorëzimin e drogës.
Përmasat financiare të aktivitetit dalin edhe nga komunikimet e sekuestruara gjatë hetimit. Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, grupi mund të siguronte deri në 9 mijë paund vetëm brenda një nate.
Gjykatësja e cilësoi aktivitetin e tyre si një “sipërmarrje tregtare dhe fitimprurëse”.
Një tjetër element që rëndoi pozitën e Rezart Balesit ishte përfshirja e djalit të tij në skemë. Joshua ishte vetëm 18 vjeç kur nisi të përfshihej në aktivitet. Gjykatësja iu drejtua babait duke e kritikuar për faktin se kishte futur të birin në botën e trafikut të drogës, duke i thënë se për këtë “duhet të ketë turp përgjithmonë”.
Prokuroria tha se ishte e vështirë të përcaktohej me saktësi sasia e plotë e drogës së shpërndarë nga rrjeti, por provat tregonin një aktivitet intensiv, me dhjetëra shitje kokaine në ditë të caktuara.
Një ekspert përllogariti se rreth 790 gramë kokainë ishin shpërndarë vetëm gjatë një periudhe tremujore. Në komunikimet e grupit flitej gjithashtu për sigurimin e sasive të mëdha të kokainës, me vlerë rreth 36 mijë paund.
Rrjeti besohet se ka funksionuar për një periudhë të gjatë, nga maji 2024 deri në mars 2026, përpara se hetimi i autoriteteve britanike të çonte në goditjen e tij.
Por familja Balesi nuk ishte e vetme në skemë. Në kuadër të të njëjtit hetim u dënuan edhe persona të tjerë të përfshirë në aktivitet.
Fatos Vrenezi, 53 vjeç, u dënua me 4 vite burg; Lorenzo Canovi, 48 vjeç, me 37 muaj; Imanuel Lumaj, 30 vjeç, me 3 vite e 9 muaj, ndërsa Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, mori 3 vite e 6 muaj burg dhe do të përballet edhe me dëbimin nga Britania.
Antonino Precaj, 33 vjeç, u dënua me 27 muaj burg për përfshirjen në një tjetër komplot kriminal që lidhej me kultivimin e kanabisit, ku ishte përfshirë edhe Joshua Balesi.
Hetimi u drejtua nga North West Regional Organised Crime Unit, ndërsa inspektori Michael Robinson deklaroi pas dënimeve se autoritetet kishin “çmontuar një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar”, i cili po shkaktonte dëme të konsiderueshme në komunitetet lokale.
Rezart dhe Refail Balesi u deklaruan fajtorë për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A. Joshua Balesi pranoi fajësinë për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A dhe B.
Goditja e rrjetit nxori kështu në pah një strukturë ku aktiviteti i trafikut ishte kthyer në një skemë familjare: babai drejtonte operacionin, ndërsa djali dhe vëllai administronin porositë që mbërrinin në WhatsApp dhe shpërndarësit realizonin dorëzimet e kokainës tek klientët.