Skip to content
Kryesore

“Censura” në Instagram kalon kufijtë, Partia Demokratike Europiane kërkon llogari nga Meta për Shqipërinë

· 2 min lexim

Mbyllja masive e llogarive në Instagram të zërave kritikë ndaj qeverisë dhe faqeve që pasqyrojnë protestat në Shqipëri nuk mbetet më vetëm një çështje e debatit të brendshëm. Partia Demokratike Evropiane (EDP) i është drejtuar zyrtarisht Meta-s, duke kërkuar përgjigje urgjente për atë që po ndodh me profilet opozitare dhe kritike në vend.

Në deklaratën e saj, EDP ngre shqetësimin për mbylljen e papritur të dhjetëra profileve në Instagram, mes tyre llogaria e kreut të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe ato të aktivistëve dhe kritikëve të tjerë të qeverisë.

Për EDP-në, çështja prek drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe pluralizmin demokratik. Për këtë arsye, Meta-s i kërkohet të zbardhë mekanizmin që ka çuar në një valë bllokimesh të profileve që kanë një emërues të përbashkët: qëndrimet kritike dhe pasqyrimin e protestave.

EDP kërkon një hetim të menjëhershëm për të përcaktuar nëse llogaritë janë rrëzuar si rezultat i sulmeve të koordinuara kibernetike apo i raportimeve masive dhe të organizuara, të cilat mund të kenë manipuluar sistemet e moderimit të Instagramit.

“Është e papranueshme që platformat e rrjeteve sociale të përdoren apo të manipulohen si mjete për të censuruar opozitën politike dhe fjalën e lirë në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Meta duhet të japë sqarime të menjëhershme dhe të rivendosë pa vonesë llogaritë e bllokuara,” deklarojnë drejtuesit e EDP-së.

Reagimi evropian vjen ndërsa në Tiranë vijojnë protestat dhe opozita denoncon se mbi 200 faqe në Instagram janë mbyllur. Përfaqësues të saj pretendojnë se pas kësaj vale qëndron një përpjekje për të goditur shpërndarjen e informacionit mbi protestat dhe për të heshtur zërat kritikë ndaj pushtetit.

Tashmë presioni zhvendoset te Meta. Kompanisë i kërkohet të sqarojë pse një numër kaq i madh profilesh janë goditur në të njëjtën periudhë, çfarë shkeljesh konkrete janë konstatuar dhe nëse sistemet e Instagramit janë manipuluar përmes raportimeve të koordinuara.

Nga një denoncim i ngritur në Shqipëri, çështja ka kaluar tashmë në nivel evropian, me EDP-në që kërkon transparencë dhe përgjigje të drejtpërdrejta nga Meta për atë që e konsideron një kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe pluralizmit politik.