Skip to content
Kryesore

Rreth 100 persona përfundojnë në spital në Fushë-Arrëz, dyshime për helmim nga uji i pijshëm

· 1 min lexim

Rreth 100 persona janë paraqitur gjatë tre ditëve të fundit në spitalin e Fushë-Arrëzit me simptoma të ngjashme gastroenteriti, duke ngritur shqetësime mes banorëve për një helmim të mundshëm nga uji i pijshëm.

Mjeku Nikolin Bardhoku ka bërë të ditur se pacientët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe nauze.

Personat e paraqitur në spital kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, pas trajtimit, janë rikthyer në banesat e tyre.

Dyshimet për shkakun e kësaj situate janë ngritur nga banorët e zonës, të cilët mendojnë se simptomat mund të lidhen me ujin e pijshëm. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar që e lidh gjendjen e pacientëve me cilësinë e ujit.

Për rastin është njoftuar Drejtoria e Shëndetit Publik, si dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Autoritetet kanë marrë mostra të ujit të pijshëm, të cilat do t’u nënshtrohen analizave për të verifikuar nëse ka probleme me cilësinë e tij.

Deri në përfundimin dhe publikimin e rezultateve të analizave, mbetet i pakonfirmuar shkaku i saktë që ka çuar rreth 100 persona drejt spitalit gjatë vetëm tre ditëve.