Skip to content
Kryesore

Evis Sala shpjegon dorëheqjen: Kam pranuar angazhime të rëndësishme ndërkombëtare

· 2 min lexim

Pas dorëheqjes nga posti i ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ka reaguar publikisht, duke shpjeguar arsyet e largimit nga qeveria.

Përmes një postimi, Sala bëri të ditur se ka pranuar disa angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës, që lidhen me onkologjinë, inteligjencën artificiale dhe inovacionin.

Ajo e cilësoi periudhën njëvjeçare në krye të Ministrisë së Shëndetësisë si një eksperiencë me përgjegjësi të madhe, por edhe me shumë sfida dhe vështirësi.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion.

Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.

I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.

Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.

Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.

Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar.

Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.

Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”, shkruan Sala.

Dorëheqja e Salës u bë e ditur këtë të mërkurë, gjatë mbledhjes së zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, ministrat dhe drejtuesit politikë. Ajo e kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë më 11 shtator të vitit të kaluar, kur Rama prezantoi kabinetin e qeverisë “Rama 4”.