Shqipëria nën flakë/ 27 vatra zjarri në 24 orë, 4 mbeten aktive

Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në disa zona të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, ndërsa 4 prej tyre mbeten ende aktive dhe 4 të tjera vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, një prej vatrave aktive ndodhet në Dajt, Tiranë, ku flakët vijojnë në drejtim të Qafë-Priskës. Gjatë ditës së djeshme në operacion u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe një helikopter. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në një terren shkëmbor që vështirëson ndërhyrjen. Për përballimin e flakëve janë angazhuar 11 forca të MZSH-së, 5 punonjës të shërbimit pyjor, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.
Situata mbetet aktive edhe në Lundre, Mat, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në terren janë angazhuar 40 forca të MZSH-së dhe shërbimit pyjor, 20 ushtarakë, si dhe një helikopter.
Ndërkohë, në Urën e Shtrenjtë, Shkodër, vijon një vatër aktive në terren të thepisur. Forcat në terren po punojnë për izolimin e saj dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Nën mbikëqyrje vijojnë gjithashtu vatrat në Qafën e Helmës në Bulqizë, Qafën e Lugut në Korçë, malin e Qukësit në Prrenjas dhe Zhejë në Kurbin.
Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, në asnjë prej këtyre zonave nuk raportohet aktualisht rrezik për zonat e banuara.