Skip to content
Kryesore

Vdekja e gruas shtatzënë tronditi Pogradecin, nën hetim 3 mjekë për neglizhencë

· 2 min lexim

Tre mjekë të maternitetit të Pogradecit janë vënë nën hetim pas vdekjes së 36-vjeçares M. K., e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe humbi jetën gjatë transportit për ndihmë të specializuar mjekësore.

Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Korçës dhe ndaj mjekëve Blerta Delija, Anri Topi dhe Saimir Çela ka nisur procedimi penal për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

36-vjeçarja ishte paraqitur mbrëmjen e 30 gushtit në maternitetin e Pogradecit në gjendje jo të mirë shëndetësore. Pas ekzaminimit nga tre mjekët, u vendos që ajo të transportohej me autoambulancë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore të specializuar.

Por gjendja e gruas shtatzënë u përkeqësua gjatë rrugës. Për këtë arsye, ajo u dërgua në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku mjekët konstatuan se kishte humbur jetën.

Hetimet tashmë do të synojnë të përcaktojnë nëse në trajtimin e 36-vjeçares në maternitetin e Pogradecit ka pasur neglizhencë dhe përgjegjësi penale nga ana e personelit mjekësor.

Njoftimi i Policisë:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.

Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.”