“Kërkuan helikopter që në orën 01:00, por nuk erdhi”/ Vdekja e 37-vjeçares shtatzënë, motra: Ambulanca u nis pas orës 04:00, dua drejtësi!

Një dëshmi e rëndë vjen nga familja e Marjana Karolina Bunajt, 37-vjeçares shtatzënë që humbi jetën gjatë transportit nga Pogradeci drejt Tiranës. Motra e saj, Albina Mekolli, ngre pikëpyetje mbi trajtimin në maternitetin e Pogradecit dhe pretendon se nisja drejt kryeqytetit u vonua për më shumë se tre orë.
Mes lotësh, ajo kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin nëse një reagim më i shpejtë mund t’i kishte shpëtuar jetën motrës së saj.
Sipas Albinës, gjithçka nisi kur Marjana e telefonoi dhe i tregoi se kishte dhimbje të forta në bark.
“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, rrëfeu Albina për gazetarin Osman Stafa.
Pas konstatimit të gjendjes së rënduar, familjarëve iu komunikua se 37-vjeçarja duhej të dërgohej drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Motra thotë se u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter, por kjo nuk u realizua.
“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, tregoi ajo.
Marjana u dërgua më pas në reanimacion, ndërsa pikërisht këtu familjarët pretendojnë se u humb kohë e çmuar. Sipas motrës, ambulanca u nis drejt Tiranës vetëm pas orës 04:00 të mëngjesit.
“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, deklaroi Albina.
Për familjen, pikëpyetja që mbetet është nëse Marjana mund të ishte shpëtuar po të ishte nisur më shpejt drejt Tiranës.
“Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, sepse mbase fëmija nuk do të kishte shpëtuar. Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte”, tha ajo.
Motra e 37-vjeçares kërkon tashmë hetim dhe drejtësi, për të përcaktuar nëse në trajtimin e saj pati pakujdesi dhe nëse vonesat ndikuan në përfundimin tragjik.
“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh Albina Mekolli.
Tragjedinë e bën edhe më të dhimbshme historia familjare e 37-vjeçares. Sipas të afërmve, bashkëshorti i Marjanës ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për të realizuar bashkimin familjar. Foshnja që ajo mbante në bark ishte fëmija i parë i çiftit.
Familja kërkon që hetimet të përcaktojnë tashmë se çfarë ndodhi gjatë orëve kritike në Pogradec dhe nëse koha e humbur mund të kishte bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes.