Detaje të reja nga tragjedia/ 37-vjeçarja shtatzënë duroi 24 orë dhimbjet, humbi jetën rrugës drejt Tiranës

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e kësaj të hëne, ku një 37-vjeçare shtatzënë humbi jetën së bashku me foshnjën që mbante në bark, gjatë transportit drejt Tiranës.
37-vjeçarja ishte në shtatzëninë e saj të parë dhe ndodhej rreth javës së 28-29, ose në muajin e shtatë. Sipas të dhënave nga spitali, ajo ishte paraqitur në maternitet rreth orës 01:00 të mëngjesit, pasi kishte pasur dhimbje barku, të cilat i kishte duruar në shtëpi për rreth 24 orë.
Pas mbërritjes në spital, mjekët konstatuan praninë e gjakut në abdomen. Gruaja iu nënshtrua reanimimit dhe, pasi gjendja e saj u stabilizua, u vendos transportimi drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Por gjatë rrugës drejt kryeqytetit, gjendja shëndetësore e 37-vjeçares u përkeqësua rëndë. Pavarësisht ndërhyrjeve, ajo humbi jetën gjatë transportit, së bashku me foshnjën 7-muajshe që mbante në bark.