Skip to content
Kryesore

Dokumentari belg: Shqiptarët kontrollojnë kokainën drejt Europës, Rama nën akuza për korrupsion

· 2 min lexim

Grupet kriminale shqiptare kanë arritur të kontrollojnë hallka kyçe të trafikut të kokainës, nga Amerika e Jugut deri në portet e Europës, ndërsa paratë e drogës dyshohet se kanë depërtuar deri në nivelet e larta të politikës shqiptare. Kjo është tabloja që sjell seria dokumentare belge “Drugsdelta”, e realizuar nga gazetarët e njohur Rudi Vranckx dhe Sinan Can.

Dokumentari ndjek rrugët ndërkombëtare të kokainës nga Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori drejt Europës, duke u ndalur veçanërisht te fuqizimi i grupeve shqiptare.

I pyetur se kush e kontrollon sot këtë tregti, Vranckx përgjigjet prerë: “Shqiptarët.”

“Është e jashtëzakonshme se si bandat shqiptare kanë arritur të vendosin njerëzit e tyre kudo, duke bërë që të kontrollojnë të gjithë zinxhirin, nga Amerika e Jugut deri në Evropë. Kanë njerëzit e tyre në portin e Ekuadorit, kanë njerëz në portet belge dhe holandeze, janë të pranishëm në Spanjë ose në Afrikë”, deklaron ai.

Gazetarët udhëtuan edhe në Shqipëri për të ndjekur atë që e cilësojnë si gjurmën e parave të drogës. Sipas Vranckx, ndikimi i kapitalit kriminal mund të shihet në zhvillimet e reja në Tiranë dhe në bregdet, ku ai pretendon se para të tilla investohen në sektorin e turizmit.

Por dokumentari shkon më tej, duke ngritur pikëpyetje edhe për lidhjet mes parave të drogës dhe politikës.

“Shqipëria është një vend që realisht rrezikon të bjerë nën kontrollin e krimit të organizuar. Ka indikacione se paratë e drogës kanë gjetur rrugën edhe drejt niveleve më të larta të politikës. Edhe kryeministri Edi Rama po lidhet gjithnjë e më shpesh me akuza për korrupsion”, shprehet Vranckx.

Ai vlerëson ndërkohë punën e SPAK kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ngre pyetjen se sa gjatë mund të përballojë institucioni fuqinë e jashtëzakonshme financiare të këtyre rrjeteve.

Sipas autorëve të “Drugsdelta”, fenomeni nuk kufizohet vetëm te Shqipëria. Trafiku i kokainës, pastrimi i parave, korrupsioni dhe dhuna e organizuar po ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh edhe mbi Belgjikën dhe Holandën, ndërsa gazetarët paralajmërojnë se fuqia e botës së drogës po shndërrohet në një kërcënim serioz për institucionet dhe shoqërinë europiane.