Tragjedi/ Në muajin e 7-të të shtatzënisë, 37-vjeçarja ndërron jetë rrugës për në Tiranë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur me një 37-vjeçare nga Pogradeci, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Gruaja me inicialet M.K. ka humbur jetën gjatë transportit drejt Tiranës, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua papritur gjatë rrugës.
37-vjeçarja ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas konsultave dhe ekzaminimeve, mjekët vendosën që ajo të transferohej drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar.
Por ajo nuk arriti dot në Tiranë. Në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj u rëndua dhe 37-vjeçarja ndërroi jetë gjatë transportit. Sipas të dhënave paraprake, ajo kishte shfaqur të vjella, ndërsa dyshohet se mund të ketë pësuar hemorragji të brendshme.
Mbetet ende e paqartë se çfarë e shkaktoi përkeqësimin fatal të gjendjes së saj. Përgjigjet pritet t’i japë autopsia mjeko-ligjore, ndërsa veprimet procedurale do të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes së 37-vjeçares.