Skip to content
Kryesore

Boksieri shqiptar Nelson Hysa triumfon në Londër, mposht norvegjezin Narmo në dy raunde

· 2 min lexim

Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shkëlqyer në O2 Arena të Londrës, duke mposhtur norvegjezin Thomas Narmo në vetëm dy raunde dhe duke regjistruar fitoren e 25-të në po aq ndeshje në karrierën profesioniste.

Përballja mes dy peshave të rënda, të cilët hynin në ring pa asnjë humbje, përfundoi vetëm 36 sekonda pas nisjes së raundit të dytë. Hysa goditi Narmon me një të djathtë të fuqishme dhe e rrëzoi në tapet. Norvegjezi arriti të ngrihej, por ishte i tronditur dhe qëndronte me vështirësi në këmbë, ndaj arbitri ndërpreu ndeshjen. Mjekët i dhanë ndihmën e nevojshme dhe Narmo më pas u largua nga ring-u në këmbë.

Fitorja e çon Hysën në rekordin perfekt 25-0, por shqiptari nuk u mjaftua me triumfin në ring. Pas ndeshjes ai shkoi mes tifozëve dhe u përball verbalisht me boksierin gjerman Agit Kabayel, ndërsa sigurimi ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin.

“Le të vijë në Gjermani, jam gati. Është para e lehtë dhe një luftë e lehtë”, deklaroi Kabayel.

“Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më shmangë. Të gjithë po largohen. Jam 25-0 dhe duhet të luftoj për titullin”, iu përgjigj Hysa.

Shqiptari kërkoi më pas hapur një përballje të madhe:

“Frank, George, më jepni një boksier të nivelit të lartë. Çfarë është kjo? Unë dua Agit Kabayel dhe të gjithë kampionët.”

Pas 25 fitoreve dhe asnjë humbjeje, Hysa synon tashmë përballjen me emrat e mëdhenj të peshave të rënda dhe një mundësi për titull bote.