18-vjeçarin e dhunojnë djemtë e pronarit të hotelit për pagën, xhaxhai merr kallashin dhe niset t’i vrasë! Policia parandalon krimin në Golem

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në zonën e Malit të Robit, në Golem, ku një 47-vjeçar ishte nisur i armatosur drejt një hoteli, me qëllim vrasjen e personave që dyshohet se kishin dhunuar nipin e tij 18-vjeçar pas një konflikti për pagesën e punës.
Policia arrestoi Melison Nelën, të cilit iu gjetën në çantën e shpinës një armë zjarri automatike, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Sipas Policisë, 47-vjeçari po shkonte drejt hotelit për t’u hakmarrë ndaj personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Genti Nela, 18 vjeç, punonte si kamarier në hotel dhe dyshohet se është dhunuar nga Florian dhe Arbër Habilaj, djemtë e pronarit të hotelit, si dhe nga shoku i tyre, Enold Dragoti. Sipas Policisë, konflikti ka nisur për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer nga 18-vjeçari.
Pas dhunimit të të riut, xhaxhai i tij, Melison Nela, është armatosur dhe është nisur drejt hotelit. Ndërhyrja e Policisë ka bërë të mundur kapjen e tij përpara se të arrinte të realizonte qëllimin, duke parandaluar kështu një krim të mundshëm.
18-vjeçari Genti Nela ndodhet në Spitalin e Kavajës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Në lidhje me dhunimin e tij, Policia ka arrestuar Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, ndërsa Arbër Habilaj është shpallur në kërkim. Ndërkohë, Melison Nela u arrestua për shkak të armës dhe dyshimeve se ishte nisur për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij.