BIRN: Policia e dinte ku fshihej Ergys Agasi, për muaj me radhë nuk veproi/ Arrestimi erdhi pas ndryshimeve në kupolë

Policia kishte prej muajsh informacione për vendndodhjen dhe lëvizjet e Ergys Agasit, por arrestimi i tij u realizua vetëm pas ndryshimeve në strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit. Kjo është një nga gjetjet kryesore të një investigimi të BIRN mbi tetë muajt e arratisë së biznesmenit të akuzuar për aferën e tenderëve të AKSHI-t.
Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, pasi u ndoq nga agjentët teksa udhëtonte nga Elbasani së bashku me Uljan Shpatarakun, ish-drejtues në Policinë e Elbasanit, i shkarkuar në maj të këtij viti për “mosparaqitje të rregullt në punë”.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, Shpataraku nuk ishte mbrojtësi i vetëm i Agasit në radhët e Policisë. Burime të pavarura nga njëri-tjetri pretendojnë se strukturat policore kishin informacione të vazhdueshme se Agasi fshihej kryesisht në një godinë në Shkozet të Durrësit, nën mbrojtjen e një organizate kriminale, por nuk pati vullnet për arrestimin e tij më herët.
Policia, sipas BIRN, dinte gjithashtu për lëvizjet e tij drejt Elbasanit dhe Tiranës, ku Agasi zhvillonte takime me personazhe të botës së krimit.
“Ka pasur informacione për vendodhjen e tij edhe më parë, por tani erdhi momenti që u krye ndërhyrja,” tha një prej burimeve.
Një burim tjetër pretendon se puna për identifikimin dhe arrestimin e Agasit nisi zyrtarisht vetëm pas rotacionit të strukturës drejtuese të Policisë së Shtetit, të përmbyllur në fund të korrikut.
“Më parë ka qenë e pamundur të veprohej për ndalimin e Ergys Agasit, pavarësisht se ka pasur informacione dhe të dhëna të shumta për vendodhjen e tij, që administroheshin nga institucionet e hetimit dhe ato të zbatimit të ligjit,” deklaroi burimi për BIRN.
Agasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit në kuadër të hetimeve të SPAK për tenderët e AKSHI-t. Sipas hetimit, ai dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, së bashku me drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësen e saj Hava Delibashi dhe persona të tjerë, akuzohen se krijuan një skemë për zhvatjen e parave publike përmes dyfishimit të vlerës së tenderëve, paracaktimit të fituesve dhe devijimit të miliona eurove. Për “eliminimin” e rivalëve, sipas SPAK, dyshohet se u përdorën edhe anëtarë të krimit të organizuar.
Vetëm 19 procedurat e hetuara nga SPAK kishin një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh, ose rreth 59 milionë euro.
Edhe pse nuk mbante një funksion publik, sipas hetimeve të SPAK, Agasi kishte influencë mbi një numër zyrtarësh të lartë. Ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, e ka akuzuar publikisht se luante rolin e “një koordinatori” mes botës së nëndheshme të krimit të organizuar dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Agasi i ka mohuar akuzat. Avokati i tij, Maksim Haxhia, deklaroi pas seancës që e la në qeli se klienti i tij “nuk ka qenë asnjëherë pjesë e procedurave të tenderave, nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi, si dhe se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupeve kriminale”.
Ndërkohë, Ermal Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik. Sipas SPAK, autoritetet franceze identifikuan pasuri që dyshohet se kanë origjinë kriminale, mes tyre një kështjellë, dy apartamente, mjete motorike dhe mbi 2 milionë euro të depozituara në llogari bankare.