Ergys Agasi dërgohet në paraburgimin e Bradasheshit, Shpatarakut i sekuestrohet arsenali me 7 armë

Ergys Agasi është transferuar këtë të shtunë në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan, pas vendimit të GJKKO-së për ta lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, hetimet pas arrestimit të tij kanë sjellë zhvillime edhe për ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku, i cili u prangos së bashku me Agasin në Durrës.
Agasi, i shumëkërkuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t, u arrestua dy ditë më parë në zonën e Plepave në Durrës, pasi ishte lokalizuar fillimisht në Elbasan. Deri në përfundimin e hetimeve dhe gjykimit, ai pritet të qëndrojë në paraburgimin e Bradasheshit, nëse masa e sigurisë nuk ndryshon.
Bashkë me Agasin u arrestua edhe ish-efektivi i Policisë Uljan Shpataraku. Pas arrestimit, me urdhër të SPAK-ut, Policia ushtroi një kontroll blic në banesën e Shpatarakut te “Liqeni i Thatë”, me qëllim sekuestrimin e provave elektronike dhe dokumenteve që mund të lidhen me dosjen e AKSHI-t.
Ndërkohë, ndaj Shpatarakut kanë nisur edhe procedurat për heqjen e lejes së armës. Gjatë procedurave u konstatua se ish-zyrtari i lartë i Policisë, i cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda, mbante me leje në banesë shtatë armë private: 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë. Të gjitha armët janë sekuestruar.
Mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta hetojë Shpatarakun si pjesë të grupit kriminal për të cilin akuzohet Agasi. Për Shpatarakun ka gjithashtu indicie se mund të ketë pasur precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar, çështje që kërkon hetim të mëtejshëm nga autoritetet.
Sipas akuzave, Ergys Agasi dyshohet se, në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar pak javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.
Në kuadër të së njëjtës dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitje”. Arrestimi i Agasit dhe Shpatarakut në Plepa u realizua gjatë një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë.