Skip to content
Kryesore

Vera nuk largohet/ Shtatori nis përvëlues, temperaturat deri në 42°C

· 2 min lexim

Vera duket se nuk ka ndërmend t’i lërë vendin vjeshtës. Ditët e fundit të gushtit dhe fillimi i shtatorit pritet të sjellin temperatura shumë të larta, me termometrin që gjatë fundjavës mund të arrijë deri në 41-42°C.

Sipas sinoptikanëve, fundjava do të karakterizohet kryesisht nga mot i qëndrueshëm dhe kthjellime. Në veri të vendit parashikohen vranësira, të cilat gjatë orëve të mesditës mund të shoqërohen me reshje lokale me intensitet të ulët.

Era do të fryjë kryesisht nga perëndimi me shpejtësi rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit jugperëndimor mund të arrijë deri në 15 m/s.

Temperaturat do të mbeten të larta edhe gjatë natës dhe mëngjesit, me vlera nga 25 deri në 27°C, ndërsa në mesditë pritet kulmi i të nxehtit, me temperatura deri në 41-42°C.

Edhe fillimi i javës së ardhshme, që përkon me ditët e para të shtatorit, nuk pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme. Parashikohen vranësira kalimtare, ndërsa era do të fryjë nga perëndimi me shpejtësi rreth 4 m/s.

Temperaturat do të vijojnë të mbeten tipike të verës, duke arritur deri në 39°C. Kështu, pavarësisht se kalendari shënon hyrjen në shtator, i nxehti veror pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të para të muajit.