Tragjedi në Florida/ Tre fëmijë shqiptarë humbin jetën në zjarr, mes tyre binjakët 11-vjeçarë dhe vëllai 2 vjeç

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pasi një zjarr përfshiu banesën e tyre dykatëshe në zonën Mandarin. Sipas informacioneve të komunitetit shqiptar, familja është me origjinë nga Lushnja dhe jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:13 të mëngjesit të së mërkurës në Windergate Drive. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje rreth katër minuta më vonë, ku u përballën me flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur që kishte përfshirë katin e dytë.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së zjarrfikësve dhe u dërguan në spital. Tre fëmijët e tjerë u gjetën pa shenja jete brenda shtëpisë.
Sipas komunitetit shqiptar, familja kishte pesë fëmijë. Viktimat raportohet se janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe vëllai i tyre 2-vjeçar.
Në momentet dramatike të zjarrit, një bebe vetëm 2-muajshe dhe një i rritur raportohet se u nxorën nga dritarja e katit të dytë. Njerëzit që ndodheshin pranë banesës ndërhynë për të ndihmuar, duke i kapur teksa nxirreshin nga dritarja.
Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38. Banesa e familjes u shkatërrua nga zjarri, ndërsa dy shtëpi të tjera pranë saj pësuan gjithashtu dëmtime.