20 mijë euro fatura telefoni/ Taulant Tusha ia la “borxhin” shtetit, Gjykata: T’i paguajë vetë

Një faturë prej afro 20 mijë eurosh për vetëm tetë muaj përdorim telefoni ka nxjerrë sërish në skenë emrin e Taulant Tushës, ish-zyrtarit të lartë të Bashkisë së Tiranës, tashmë të dënuar për aferën e inceneratorit dhe të pandehur edhe në dosjen “5D”. Një investigim i BIRN zbulon se borxhi i krijuar gjatë kohës kur Tusha ishte Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përfundoi në gjykatë, pasi një kompani kërkoi që faturën ta paguante buxheti i shtetit.
Kompania “D&Fin Partner”, e cila kishte blerë borxhin nga operatori telefonik, paditi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale duke kërkuar arkëtimin e afro 20 mijë eurove. Por me vendimin e 1 korrikut 2026, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e rrëzoi kërkesën.
Gjyqtari Ardit Kuka konstatoi se Tusha nuk kishte autorizim për të lidhur kontratën telefonike në emër të ministrisë dhe se shpenzimet përtej kufirit ligjor nuk mund t’u ngarkohen taksapaguesve.
“Eventualisht edhe nëse do të pranohej padia, detyrimi që do të mbulonte ministria do të ishte deri në vlerën maksimale 80,000 (tetëdhjetë mijë) lekë për të gjitha faturat objekt gjykimi. Për pjesën tjetër detyrimi do të duhet t’i kërkohej personalisht përdoruesit të numrit të telefonit”, arsyetoi Kuka.
Shifrat e administruara në gjykatë tregojnë për shpenzime të pazakonta. Në vetëm tetë muaj – tetor dhe dhjetor 2015, si dhe janar-qershor 2016 – u krijuan fatura që në total kalonin 20 mijë euro.
Rekordi u shënua në tetor 2015, kur vetëm një faturë telefoni arriti në 983,948 lekë me TVSH, pra afro 1 milion lekë. Në janar 2016 fatura ishte 101,805 lekë, në shkurt kërceu në 428,764 lekë, ndërsa në prill arriti në 203,862 lekë. Shpenzimet përfshinin telefonata, internet dhe shërbime roaming.
Këto shifra bien në kontrast të fortë me kufirin që lejonte ligji. Sipas VKM-së nr. 864 të vitit 2010, të cituar në vendimin e gjykatës, për kategorinë e zyrtarëve ku bënte pjesë Tusha, shteti mbulonte shpenzimet telefonike vetëm deri në 10 mijë lekë në muaj. Shpenzime pa limit lejoheshin vetëm për pesë zyrtarët më të lartë të shtetit.
Gjykata konstatoi gjithashtu se kontrata kishte probleme thelbësore. Tusha kishte vendosur inicialet “Taulant Tusha/MMSR”, duke lënë të kuptohej se vepronte si përfaqësues i institucionit, por nuk rezultoi të kishte prokurë apo autorizim nga ministri apo sekretari i përgjithshëm. Dokumentit i mungonte gjithashtu vula e ministrisë dhe nënshkrimi përkatës përfaqësues.
“Nuk rezulton që të jetë lëshuar prokurë nga titullari i institucionit në formë noteriale apo autorizim me shkrim, si nga ministri i kohës ashtu edhe sekretari i përgjithshëm, që do t’i jepte tagër Z. Taulant Tusha për të lidhur kontrata të shërbimit telefonik…”, thuhet në vendim.
I kontaktuar nga BIRN, Tusha deklaroi se nuk e kujtonte numrin e telefonit në fjalë.
“Nuk mbaj mend ta kem pasur këtë numër”, tha ai, duke shtuar se nuk kishte dijeni për procesin dhe se nuk ishte thirrur apo njoftuar.
Rasti rikthen në vëmendje Tushën në një tjetër histori me faturë publike. Ish-zyrtari u arrestua në dhjetor 2023 për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe është dënuar me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO-së me 2 vite burg. Ai është gjithashtu i pandehur në dosjen “5D”, ku SPAK e akuzon se, si drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës dhe anëtar i KVO-së, favorizoi në mënyrë të paligjshme kompaninë “5D Konstruksion”, të zotëruar de facto nga ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Ndryshe nga faturat e tjera që lidhen me çështjet e tij penale, këtë herë tentativa që 20 mijë eurot e telefonit t’i kalonin shtetit dështoi në gjykatë. Vendimi përcakton se pjesa e shpenzimeve jashtë kufirit ligjor duhet t’i kërkohet personalisht përdoruesit të numrit dhe jo taksapaguesve.