Skip to content
Uncategorized

“Kosova të duket si Kandahar”/ Plani “Top Sekret” në telefonin e të akuzuarit për spiunazh për BIA-n serbe, Fatmir Sheholli

· 2 min lexim

Një dokument i titulluar “Top sekret 2”, i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh në favor të BIA-s serbe, përshkruan një plan që synonte destabilizimin e Kosovës përmes radikalizmit fetar dhe përçarjes së shqiptarëve brenda vendit me diasporën. Detajet janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të publikuar nga mediat në Kosovë.

Sipas dokumentit të përkthyer nga Prokuroria, strategjia parashikonte përdorimin e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd për investime masive në ndërtimin e xhamive në pika të konsideruara strategjike, përfshirë zona pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare. Në fshatra, ndërkohë, parashikohej dyfishimi i numrit të xhamive.

Plani përfshinte gjithashtu ngritjen e shkollave fetare, medreseve, në të gjithë Kosovën dhe transportimin drejt tyre të fëmijëve dhe të rriturve nga zona ku, sipas dokumentit, feja konsiderohej më primare se kombi. Mes zonave të përmendura janë Mitrovica, Vushtrria, Kaçaniku, Hani i Elezit, Dragashi dhe Prizreni.

Për realizimin e strategjisë, përveç operativëve shqiptarë, dokumenti parashikonte bashkëpunim edhe me persona nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Sanxhaku. Në të pretendohej gjithashtu se udhëheqësit e bashkësive fetare ishin nën kontroll, me qëllim përfshirjen e personave me ndikim në politikë, media, muzikë dhe sport.

Një nga synimet kryesore ishte krijimi i një klime ku qytetarët e Kosovës të ndiheshin sikur jetonin në një shtet të huaj, duke nxitur largimin e të rinjve ose orientimin e tyre drejt fesë.

Një tjetër objektiv ishte përçarja mes shqiptarëve në Kosovë dhe diasporës, veçanërisht komuniteteve shqiptare në Zvicër dhe Gjermani, të cilat historikisht kishin mbështetur linjën institucionaliste të Ibrahim Rugovës.

Objektivi përfundimtar i përshkruar në dokument ishte që “pas 20 vitesh Kosova të duket si Kandahari”. Përmes krijimit të këtij imazhi, projekti synonte që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj shtetësisë së Kosovës dhe të lejonin kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.

Dokumenti parashikonte më tej largimin e shqiptarëve drejt Turqisë, përmes angazhimit të udhëheqësve fetarë dhe ofertave për punësim.

Prokuroria Speciale bën me dije se të njëjtin dokument Sheholli ia kishte dërguar edhe një personi të identifikuar me emrin “Viktor Makedonia”, ndërsa materiali mbante shënimin “Confidential”.

Sipas organit të akuzës, dokumenti përbën një program të fshehtë politik dhe strategjik që synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizmit islamik në Kosovë dhe në rajon përmes figurave me ndikim publik.