Skip to content
Kryesore

AKU sqaron rregullat: Mishi nga Brazili hyn në Shqipëri vetëm me certifikatë para 3 shtatorit

· 1 min lexim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sqaruar rregullat që do të zbatohen për importin e mishit të shpendëve dhe gjedhit nga Brazili, pas ndryshimeve të fundit në rregullat e Bashkimit Evropian.

Sipas AKU-së, ngarkesat me këto produkte do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar vetëm në rastet kur certifikata veterinare është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026. Ky rregull do të zbatohet edhe kur ngarkesat mbërrijnë fizikisht në Shqipëri pas kësaj date.

Sqarimi vjen pasi Bashkimi Evropian hoqi Brazilin nga lista e vendeve të autorizuara për eksportin e këtyre produkteve me origjinë shtazore. Komisioni Evropian ka përcaktuar se kufizimet e reja nuk do të kenë efekt prapaveprues për eksportet që janë miratuar përpara hyrjes në fuqi të masës.

Kjo do të thotë se ngarkesat që disponojnë certifikatën veterinare dhe dokumentacionin përkatës të lëshuar përpara 3 shtatorit do të lejohen të hyjnë në tregun shqiptar, edhe nëse mbërritja e tyre ndodh pas këtij afati.

AKU bën të ditur se kontrollet në kufi do të vijojnë në mënyrë strikte, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.