Skip to content
Kryesore

Marta Kos kundërshton veten? Lavdëron Shqipërinë për sundimin e ligjit, por BE kërkon zhbërjen e ndryshimeve për Zonat e Mbrojtura

· 5 min lexim

Dy qëndrime të Marta Kos për Shqipërinë, të vendosura përballë njëra-tjetrës, nxjerrin në pah një kontrast të fortë mes retorikës së Brukselit për “progresin” dhe kushteve konkrete që vendit i kërkohet ende të përmbushë. Komisionerja Europiane për Zgjerimin e vlerëson Shqipërinë për avancimin në standardet kryesore të sundimit të ligjit, ndërsa Komisioni Europian kërkon shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të futura me ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Pra, ndërsa nga njëra anë Shqipëria paraqitet si një vend që po ecën përpara drejt BE-së, nga ana tjetër Brukseli i bën të qartë Tiranës se pjesë të legjislacionit të miratuar prej saj nuk përputhen me acquis europiane dhe duhet të zhbëhen nëse vendi kërkon të mbyllë Kapitullin 27 për mjedisin.

Duke folur të martën në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë në Zagreb për procesin e ri të zgjerimit, Kos përmendi përparimin e shpejtë të Malit të Zi, avancimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve kryesore të sundimit të ligjit, si dhe përparimet teknike të Ukrainës dhe Moldavisë.

Por tabloja ndryshon kur Komisioni Europian përballet me pyetje konkrete mbi legjislacionin shqiptar dhe projektet turistike në Sazan dhe zonën Vjosa-Nartë.

11 eurodeputetë të krahut të majtë i kërkuan Komisionit të shprehej për projektet turistike që ata thonë se financohen nga fondi i investimeve i Jared Kushner, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, qeverisjen e mirë dhe ndikimin që zhvillimet mund të kenë mbi zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin.

Kos shmang një vlerësim specifik mbi investimet e lidhura me familjen Trump, duke deklaruar se investimet e huaja mund të sjellin përfitime nëse janë transparente dhe respektojnë rregullat kombëtare dhe europiane. Por për legjislacionin shqiptar përgjigjja e Komisionit është shumë më e drejtpërdrejtë.

“Kushtet për mbylljen e kapitullit kërkojnë në mënyrë të qartë që Shqipëria të përputhet me acquis të BE-së për mbrojtjen e natyrës, duke përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të futura përmes ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thuhet në përgjigjen drejtuar eurodeputetëve.

Kjo deklaratë vendos përballë njëra-tjetrës dy pamje të Shqipërisë. Në njërën, Kos e veçon për avancimin në sundimin e ligjit. Në tjetrën, vetë Komisioni që ajo përfaqëson konstaton se ekzistojnë dispozita të miratuara nga Shqipëria që janë të papajtueshme me legjislacionin europian dhe kërkon shfuqizimin e tyre.

Formalisht bëhet fjalë për fusha të ndryshme të negociatave dhe përparimi në sundimin e ligjit nuk do të thotë automatikisht përmbushje e standardeve mjedisore. Por politikisht kontrasti mbetet i fortë: ndërsa Shqipërisë i jepen publikisht nota pozitive për rrugën drejt BE-së, Brukseli i kërkon njëkohësisht të korrigjojë ligje që vetë institucionet shqiptare i kanë miratuar.

Dhe kërkesat nuk mbarojnë me Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Komisioni kërkon edhe përfundimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike, ndërsa Shqipëria duhet të përafrohet me Direktivën e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor, Direktivën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

“Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitet të mjaftueshëm për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000 dhe të sigurojë masa efektive për ruajtjen e tyre, duke parandaluar përkeqësimin e habitateve dhe statusin e specieve”, thuhet më tej në përgjigjen e Marta Kos.

Në qendër të debatit janë edhe Sazani dhe Vjosa-Narta. Eurodeputetët kanë ngritur shqetësime se zhvillimet turistike mund të rrezikojnë ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara. Ata kanë nënvizuar gjithashtu se Sazani ndodhet brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, i përcaktuar si Zonë e Mbrojtur Veçanërisht e Rëndësishme për Mesdheun.

Edhe më i drejtpërdrejtë është qëndrimi për projektin në Pishë Poro-Nartë, për të cilin Kos konfirmon se Komisioni Europian po e ndjek nga afër.

“Ky projekt, si të gjitha projektet në zhvillim e sipër në Shqipëri, do të duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara në Kapitullin 27”, thuhet në përgjigje.

Qeveria shqiptare e ka siguruar Komisionin se do të kryhet një Vlerësim i Plotë i Ndikimit Mjedisor dhe se do të respektohen standardet europiane. Megjithatë, Brukseli paralajmëron se nuk do të mjaftohet vetëm me garancitë e Tiranës.

“Komisioni do të monitorojë nga afër përmbushjen e këtyre kushteve”, përfundon përgjigjja.

Kështu, vetëm pak nga retorika optimiste për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, del në pah një tjetër realitet i negociatave: vendit i kërkohet të zhbëjë dispozita të Ligjit për Zonat e Mbrojtura që Brukseli i konsideron të papajtueshme me acquis, të mbyllë kapitullin e investimeve strategjike dhe të provojë se projektet në zonat e ndjeshme nuk cenojnë standardet europiane.

Marta Kos mund ta paraqesë Shqipërinë si një vend që po avancon, por vetë kërkesat e Komisionit Europian tregojnë se rruga drejt BE-së nuk matet vetëm me deklarata optimiste. Në fund, janë ligjet që duhet të përputhen me acquis dhe kushtet që duhet të plotësohen. Dhe për Zonat e Mbrojtura, Brukseli po kërkon pikërisht ndërhyrje konkrete.