Vrau nënën me sqepar dhe plagosi rëndë të atin, banorët zbulojnë të shkuarën e 45-vjeçarit: Tentoi të vriste edhe një bashkëfshatar, nuk kurohej rregullisht

Detaje të tjera dalin në dritë për 45-vjeçarin Florion Dalladaku, i cili vrau me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, dhe plagosi rëndë të atin, Hasan Dalladaku, në fshatin Zhymë të Lushnjës. Banorët e zonës tregojnë se ai kishte prej vitesh probleme të shëndetit mendor dhe pretendojnë se nuk kurohej rregullisht.
Një prej bashkëfshatarëve deklaroi se vite më parë Dalladaku kishte tentuar të vriste edhe Gim Metën, të cilin e kishte lënë të plagosur. Sipas banorëve, 45-vjeçari kishte shkuar për kurim edhe në Itali, ndërsa një vit më parë ishte dërguar në Elbasan. Ata pretendojnë se ai nuk i merrte rregullisht ilaçet.
“Kishte probleme. Se di a kurohej. Se e pyeste i ati; i more apo jo ilaçet? ‘I mora’- thoshte. Atij i erdhi ora i bie. U rëndua. Ai shenjat i ka dhënë vite më parë. Kam qenë në Greqi në ato kohëra. Bëri një skandal më parë, plagosi Gim Metën. Më pas sikur u stabilizua. Shkoi dhe në Itali me vëllezërit. Më pas erdhi prapë. Por stabilitet nuk pati. Por siç dukej ngaqë nuk kurohej rregullisht. Nuk kishin probleme financiare. Ka shtëpi, vëllezërit mirë, vëllai tjetër ka lokal. Asnjë problem financiar”, u shpreh një bashkëfshatar.
Një tjetër banor e përshkroi familjen Dalladaku si të qetë dhe punëtore, ndërsa tha se 45-vjeçari kishte shfaqur probleme edhe më herët.
“Familje e qetë, e mirë, punëtore. Por ky djali thonë që ka pasur probleme mendore. Këta e çuan vjet në Elbasan. Ka pasur probleme me familjen edhe më parë. Ka qenë cik problematik, por nuk e di si ka qenë puna. Por ai ka qenë me probleme mendore”, tha një tjetër banor.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit në banesën e familjes Dalladaku në Zhymë. Pas vrasjes së nënës së tij 80-vjeçare dhe plagosjes së rëndë të babait 77-vjeçar, Florion Dalladaku u largua me një automjet “Ford” në pronësi të vëllait, në drejtim të Fierit.
45-vjeçari u arrestua rreth një orë pas krimit. Motivi i ngjarjes ende nuk dihet, ndërsa Hasan Dalladaku është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.