Skip to content
Kryesore

Para se të vriste ish-të dashurën, shqiptari i la 1 mijë euro gruas: Mbaji që të kesh para

· 2 min lexim

Detaje të reja janë zbardhur nga krimi në Nea Smyrni, ku 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuça vrau ish-të dashurën e tij, 45-vjeçaren Julieta Obzova, dhe më pas i dha fund jetës. Para se të nisej drejt banesës së viktimës, ai mësohet se i la bashkëshortes së tij 1 mijë euro, duke i thënë: “Mbaji që të kesh para”.

Bashkëshortja e Allmuçës ka dëshmuar para hetuesve grekë për sjelljen e tij gjatë muajve të fundit. Ajo ka treguar se prej rreth 18 muajsh kishte vënë re një ndryshim të madh tek ai.

Sipas dëshmisë së saj, 48-vjeçari mungonte shpesh nga shtëpia dhe kishte net kur flinte diku tjetër. Gruaja ka thënë se nuk e dinte se ku qëndronte dhe as nëse bashkëshorti kishte një marrëdhënie me një grua tjetër.

Ajo ka deklaruar gjithashtu para autoriteteve greke se kishte frikë prej tij.

E shkuara e Altin Allmuçës rezulton gjithashtu problematike. Në vitin 2016, ai është arrestuar në Tiranë, pasi kishte kryer raport seksual me dhunë me bashkëshorten, kundër dëshirës së saj. Ndaj 48-vjeçarit ishte ngritur gjithashtu një padi për përndjekje.

Hetimet për ngjarjen në Nea Smyrni vijojnë, ndërsa dëshmia e bashkëshortes është pjesë e të dhënave që autoritetet po shqyrtojnë për të rindërtuar rrethanat që i paraprinë vrasjes së Julieta Obzovës dhe vetëvrasjes së 48-vjeçarit.