Skip to content
Kryesore

Ethet e Nilit mbërrijnë në Shqipëri, konfirmohet rasti i parë për 2026

· 2 min lexim

Ethet e Nilit Perëndimor kanë prekur edhe Shqipërinë. Rasti i parë i konfirmuar për vitin 2026 është regjistruar në Korçë, ku një 72-vjeçar ka rezultuar pozitiv me virusin dhe aktualisht ndodhet i karantinuar në Spitalin Rajonal, ku po merr trajtim mjekësor.

I moshuari jeton në qytetin e Korçës dhe gjatë kësaj periudhe mësohet se ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në lulishte. Dyshohet se pikërisht në këtë zonë mund të jetë pickuar nga një mushkonjë e infektuar, përmes së cilës transmetohet virusi.

72-vjeçari iu drejtua spitalit pasi shfaqi simptoma, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me Ethet e Nilit. Mostra u janë marrë edhe personave të afërt me të, por rezultatet e tyre kanë dalë negative.

Ditën e nesërme, një grup specialistësh pritet të mbërrijë në Korçë për të kryer dezinfektimin e zonës ku dyshohet se është pickuar 72-vjeçari.

Ministria e Shëndetësisë konfirmon se ky është rasti i parë me Ethet e Nilit Perëndimor në Shqipëri për vitin 2026. Që prej fillimit të janarit janë testuar 30 mostra nga raste të dyshuara për infeksion, të cilat kanë rezultuar negative.

“Gjatë monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në vend, vetëm gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht u evidentua rasti i parë për vitin 2026, në qarkun e Korçës. Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar, përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026. ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar dhe monitorimin e situatës”, njofton Ministria.

Të dhënat tregojnë një diferencë të ndjeshme mes viteve të fundit. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa gjatë vitit 2025 u regjistruan vetëm dy raste të konfirmuara.

Ethet e Nilit transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella, ndërsa në rastet më të rënda virusi mund të prekë edhe sistemin nervor.