Fluks i lartë në Kakavijë, emigrantët kthehen drejt Greqisë, radhë në kufi

Mëngjesi i kësaj të hëne ka sjellë një shtim të ndjeshëm të fluksit në pikën kufitare të Kakavijës, teksa emigrantët që kanë kaluar pushimet në Shqipëri kanë nisur kthimin drejt Greqisë dhe vendeve ku jetojnë e punojnë.
Lëvizjet e shumta kanë krijuar radhë në pikën më të madhe kufitare me Greqinë, ndërsa kalimi po zhvillohet me ritëm të ngadaltë.
Pala shqiptare po punon me tre sportele në dalje dhe dy në hyrje. Ndërkohë, pala greke funksionon vetëm me një sportel në hyrje, duke ngadalësuar përpunimin e qytetarëve që po largohen nga Shqipëria.
Fluksi i lartë reflektohet edhe në shifrat e 24 orëve të fundit. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë kanë përpunuar gjithsej 11 534 shtetas në hyrje dhe dalje.
Prej tyre, 3 932 shtetas kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 7 602 të tjerë kanë dalë nga vendi.
Gjatë së njëjtës periudhë janë përpunuar edhe 3 228 mjete, nga të cilat 1 046 në hyrje dhe 2 182 në dalje. Shifrat tregojnë se lëvizja më e madhe aktualisht është drejt daljes nga Shqipëria, ndërsa emigrantët po përfundojnë pushimet dhe po rikthehen drejt Greqisë.