Skip to content
Kryesore

E detyroi të ulej në gjunjë dhe e qëlloi dy herë/ Detaje të rënda nga vrasja e shqiptares në Athinë nga partneri që ishte i martuar

· 2 min lexim

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 45-vjeçares shqiptare Lulieta Obzova në Nea Smyrni të Athinës, e cila dyshohet se u qëllua për vdekje nga partneri i saj, 48-vjeçari shqiptar me origjinë nga Tirana, Altin Allmuça. Sipas mediave greke, para se ta qëllonte, ai dyshohet se e kërcënoi me pistoletë dhe e detyroi të ulej në gjunjë.

Hetimet për vrasjen po vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë minutat para krimit dhe marrëdhënien mes viktimës dhe të dyshuarit, i cili ishte i martuar.

Policia po shqyrton provat e mbledhura në banesë dhe të dhënat e nxjerra nga telefonat celularë. Në duart e hetuesve, sipas mediave greke, ndodhet edhe një video që ka regjistruar lëvizjet brenda ndërtesës pak para se të dëgjoheshin të shtënat.

Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se 48-vjeçari kishte vendosur një person tjetër jashtë banesës së viktimës, për të pritur momentin kur ajo do të dilte.

Kur 45-vjeçarja hapi derën e banesës, Allmuça dyshohet se e kërcënoi me pistoletë dhe e detyroi të ulej në gjunjë. Më pas, sipas informacioneve, ai qëlloi dy herë me armë. Plumbi i parë nuk e goditi gruan, ndërsa i dyti rezultoi fatal.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse 45-vjeçarja kishte marrë kërcënime nga i dyshuari edhe përpara vrasjes. Sipas informacioneve të publikuara, gruaja kishte frikë për sigurinë e saj dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur, mes të cilave edhe ndryshimin e bravave të banesës ku jetonte së bashku me vajzën e saj të mitur.

Në kuadër të hetimeve po analizohen edhe provat e gjetura në automjetin e 48-vjeçarit. Aty dyshohet se janë gjetur fishekë të të njëjtit kalibër me ata të përdorur në vrasje.

Hetuesit po vijojnë punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit dhe për të përcaktuar rolin e çdo personi që mund të ketë qenë i përfshirë.