Skemë vjedhjeje në Tiranë! Sanitarja u ndërron florinjtë me bizhuteri false familjeve dhe zhduket

Një grua që është punësuar si sanitare në disa familje në Tiranë akuzohet se ka përdorur të njëjtën skemë për t’u vjedhur sende me vlerë: merrte bizhuteritë dhe sendet origjinale, i zëvendësonte me kopje false me pamje të ngjashme dhe më pas largohej.
Rastet janë denoncuar nga disa familje në JOQ, të cilat pretendojnë se gruaja prezantohej me emra dhe të dhëna të ndryshme, ndërsa mënyra e veprimit mbetej e njëjtë.
Një prej denoncuesve tregon se gruaja, e prezantuar si “Diana”, 37 vjeçe, nisi punë si sanitare më 10 korrik 2026. Vetëm dy ditë më vonë, familja konstatoi se një byzylyk me diamante ishte zhdukur dhe në vend të tij ishte vendosur një tjetër metalik, me pamje identike me origjinalin.
Një tjetër familje pretendon se është përballur me të njëjtën skemë. Sipas denoncimit, sanitarja zëvendësoi një orë Cartier me një kopje, ndërsa mori edhe një unazë të së njëjtës markë. Denoncuesja thotë se rasti është referuar në polici, por sipas saj ende nuk është marrë asnjë masë.
Një grua tjetër ka rrëfyer se sanitarja i ka marrë një orë që e kishte marrë dhuratë për lindjen e vajzës. Ajo thotë se ka bërë kallëzim në Komisariatin nr. 1 që në qershorin e vitit të kaluar, por çështja, sipas saj, ende nuk ka marrë zgjidhje.
Rasti më i rëndë i denoncuar lidhet me një familje me një fëmijë të porsalindur. Familjarët tregojnë se gruaja u punësua si sanitare dhe që në ditën e dytë të punës zëvendësoi një pjesë të florinjve të tyre me bizhuteri false.
Këtë herë, familjarët u kthyen më herët në banesë, konstatuan vjedhjen dhe njoftuan policinë. Sipas dëshmisë së tyre, gruaja pranoi më pas se sendet e marra i kishte fshehur në trup dhe i dorëzoi.
Denoncimet e familjeve ngrenë dyshime se e njëjta grua mund të ketë përdorur në raste të ndryshme të njëjtën skemë, duke u punësuar si sanitare, duke marrë sende me vlerë dhe duke i zëvendësuar ato me kopje false.