Tragjedi shqiptare në Greqi/ Altin Allmuca vret të dashurën dhe më pas veten, nëna e Julietës në lot: Nuk dija asgjë për lidhjen

Një histori tragjike me dy shqiptarë ka tronditur Nea Smyrni në Athinë. 48-vjeçari Altin Allmuca dyshohet se i zuri pritë të dashurës së tij, Julieta Obzova, 45 vjeçe, jashtë pallatit ku ajo jetonte me vajzën 16-vjeçare, e qëlloi për vdekje me armë dhe më pas i dha fund jetës. Ndërsa policia greke po përpiqet të zbardhë se çfarë ndodhi mes çiftit përpara krimit, nëna e viktimës ka treguar mes lotësh se nuk dinte asgjë për lidhjen sentimentale të së bijës dhe se lajmin për vdekjen e saj e mori nga vajza tjetër.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni. Dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”, ndërsa pranë trupit të 48-vjeçarit policia gjeti edhe revolverin që dyshohet se u përdor në krim.
Sipas të dhënave të deritanishme të autoriteteve greke, Allmuca dyshohet se e kishte pritur Julietën brenda makinës së tij, jashtë pallatit ku ajo jetonte së bashku me vajzën 16-vjeçare.
Sapo 45-vjeçarja doli nga pallati, Allmuca dyshohet se doli nga automjeti, iu afrua dhe e qëlloi me revolver. Julieta u rrëzua në hyrje të ndërtesës, ndërsa menjëherë më pas 48-vjeçari dyshohet se drejtoi të njëjtën armë nga vetja dhe u vetëqëllua në kokë.
Obzova kishte plagë me armë zjarri në trup dhe dyshohet se ishte qëlluar edhe në fytyrë. Revolveri i gjetur pranë trupit të Allmucës, sipas policisë, përforcon pistën se ai vrau fillimisht 45-vjeçaren dhe më pas kreu vetëvrasje.
Teksa hetuesit përpiqen të rindërtojnë minutat e fundit të Julietës, familja e saj është përballur me lajmin tragjik. Nëna e 45-vjeçares mësoi për vrasjen vetëm pak kohë pas ngjarjes, kur e telefonoi vajza tjetër.
E tronditur dhe mes lotësh, ajo tregoi se Julieta nuk i kishte folur për marrëdhënien me 48-vjeçarin dhe se nuk kishte dijeni për lidhjen e tyre.
“Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë. Tani mësova për vajzën time. Më telefonoi vajza tjetër dhe ma tha pak më parë. Nuk më kishte folur për lidhjen e saj. Me ish-bashkëshortin ishte ndarë prej shumë kohësh”, tha nëna e 45-vjeçares.
Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton që Julieta Obzova dhe Altin Allmuca të kenë qenë të martuar. Ata kishin pasur një marrëdhënie, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat dhe motivin e krimit. Paraprakisht dyshohet për motive xhelozie.
Policia po heton gjithashtu lëvizjet e 48-vjeçarit përpara vrasjes. Dyshohet se ai nuk ndodhej rastësisht jashtë pallatit dhe hetuesit po përpiqen të zbulojnë sa kohë kishte që e priste Julietën, nëse e dinte paraprakisht se ajo ndodhej në atë apartament dhe çfarë kishte ndodhur mes tyre përpara se të qëllonte.
Një tjetër element që po verifikohet lidhet me një denoncim të bërë nga Julieta në korrik të vitit 2024. Sipas medias greke “Protothema”, ajo ishte paraqitur në Komisariatin e Akropolit dhe kishte denoncuar ish-partnerin, pasi pas ndarjes nuk i kishte kthyer një motor. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse personi i denoncuar në atë kohë ishte Altin Allmuca.
Në fokus të hetimeve është edhe aktiviteti i Allmucës në rrjetet sociale. 48-vjeçari kishte publikuar fotografi ku pozonte me armë në duar, ndërsa policia po verifikon nëse armët që shfaqen në këto foto kanë lidhje me revolverin e gjetur në vendngjarje.
Dëshmitë e banorëve po ndihmojnë gjithashtu në rindërtimin e dinamikës së krimit. Një grua tregoi se rreth orës 05:30 kishte dëgjuar tri të shtëna.
“Fqinja tha se në të gdhirë dëgjoi të shtënat. Unë kam këtu shtëpinë e prindërve dhe dëgjova tri të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit”, tha ajo.
Një tjetër banore tregoi se kishte dëgjuar tri zhurma shumë të forta, me disa sekonda interval mes tyre.
“Papritur dëgjuam tre zhurma shumë të forta. Nuk e dinim nëse ishin të shtëna apo jo. Unë numërova tre. Nuk ishin njëra pas tjetrës, kishte një interval prej tre, katër apo pesë sekondash”, tregoi ajo.
Hetuesit po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e banorëve dhe të dhënat nga komunikimet telefonike të dy shqiptarëve. Synimi është të rindërtohen lëvizjet dhe komunikimet e tyre përpara krimit dhe të zbardhet se çfarë e çoi 48-vjeçarin drejt vrasjes së Julietës dhe më pas, sipas pistës kryesore të policisë, drejt vetëvrasjes.