Krim brutal në aeroportin e Antalias/ Ish-polici vret partneren 38-vjeçare, e kërcënonte vazhdimisht

Një krim i rëndë ka tronditur aeroportin e Antalias në Turqi, ku një ish-oficer policie dyshohet se ka vrarë me armë partneren e tij 38-vjeçare në parkingun e Terminalit 2.
Sipas mediave turke, 52-vjeçari Hüseyin Durmaz ka qëlluar me armën e shërbimit partneren e tij, Elina Şengün, 38 vjeçe, me origjinë nga Gjeorgjia.
Menjëherë pas të shtënave, në parkingun e aeroportit mbërritën ekipet e policisë dhe ato mjekësore. E plagosura u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Hüseyin Durmaz u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Sipas raportimeve, Şengün ishte nënë e dy fëmijëve dhe punonte si konsulente shitjesh në aeroport. Ajo kishte qenë në një lidhje prej rreth dy vitesh me 52-vjeçarin.
Mediat turke raportojnë se ish-polici e kishte kërcënuar vazhdimisht partneren e tij. Sipas dëshmive të raportuara, ai i kishte thënë se, nëse nuk do ta gjente në shtëpi në mëngjes, do të shkonte ta kërkonte në aeroport.
Dyshohet se Durmaz, pasi e pa 38-vjeçaren në parkingun e aeroportit, mori një armë nga makina dhe e qëlloi.
Policia turke ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.