Skip to content
Kryesore

Duan naftë pa akcizë dhe më shumë subvencione, fermerët paralajmërojnë protesta me traktorë në shtator

· 5 min lexim

Fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në fillim të shtatorit, nëse Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritjen e subvencioneve, uljen e kostove të prodhimit dhe rikthimin e naftës pa akcizë.

Në javën e parë të shtatorit, përfaqësuesit e sektorit pritet t’i paraqesin Ministrisë së Bujqësisë një paketë kërkesash që lidhen me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.

Anëtarë të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit pohuan për Monitor se ndër kërkesat kryesore do të jetë rishikimi i skemës kombëtare dhe heqja e pragjeve për përfitimin e mbështetjes direkte për bagëtitë. Ata kërkojnë gjithashtu rritjen e subvencionit për lopët nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, uljen e TVSH-së dhe rregullimin e etiketimit të produkteve të bulmetit vendas që prodhohen me qumësht të freskët, por të importuar.

Nëse kërkesat nuk reflektohen në ndryshimet fiskale dhe në skemën kombëtare për vitin 2027, fermerët paralajmërojnë se do të rikthehen në protestë. Këtë herë po diskutohet që në protestë të zbresin edhe traktorët.

Për blegtorët, një nga problemet kryesore mbetet diferenca e madhe mes mbështetjes që marrin fermerët shqiptarë dhe asaj që përfitojnë fermerët në vendet e rajonit.

Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 krerë lopë në fshatin Samaticë të Beratit, thotë për Monitor se kostot e larta dhe subvencionet e ulëta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e aktivitetit.

“Blegtoria është në ditët e saj më të këqija. Mungesa e konkurrueshmërisë është një nga problemet kryesore me të cilat po hasen edhe ata pak blegtorë që kanë mbetur në vend. Ne prodhojmë me kosto të lartë për shkak të një sërë problemesh që ka sektori, që nga çmimi i lartë i naftës, mungesa e kanaleve ujitëse etj., dhe subvencionet e ulëta.

Sot, një blegtor në Serbi merr subvencione direkte për krerë lopë prej 350 eurosh. Përveç kësaj, paguhet edhe 16 lekë për litër qumësht të prodhuar. Në vit, një blegtor me një madhësi ferme të ngjashme me timen përfiton 45 mijë euro subvencione.

Me këtë subvencion, fermeri në Serbi, por edhe në vende të tjera të rajonit, e ka fitimin të mbrojtur nga shteti. Prandaj edhe qumështin e shet më lirë sesa fermeri shqiptar, pothuajse me koston e prodhimit.

Ndërsa ne përfitojmë 12 mijë lekë subvencion për lopë dhe, me ndryshimet e fundit të skemës, u hoqën subvencionet për viçat.

Rishikimi i subvencioneve, pra rritja e masës së tyre dhe heqja e pragjeve për krerët, mbetet një nga kërkesat kryesore të sektorit, për të cilat ne kërkojmë zgjidhje përmes ndërhyrjeve fiskale në hartimin e projektbuxhetit dhe paketës së ardhshme fiskale”, pohon ai.

Sipas ekspertëve të bujqësisë në Kosovë, subvencionet arrijnë në 600 euro për një krerë lopë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut fermerët subvencionohen me 250 euro për krerë, plus 10 lekë për çdo litër qumësht lope të prodhuar. Në total, mbështetja vjetore arrin në rreth 900 euro për qumështin.

Blegtorët vlerësojnë se ky hendek, së bashku me kostot e larta të ushqimit të kafshëve dhe të karburantit për punimin e tokës, po ushtron presion të dyfishtë mbi prodhuesit vendas: kostot rriten, ndërsa aftësia për të konkurruar me prodhuesit e rajonit zvogëlohet.

Në mars të këtij viti, qeveria rishikoi skemën kombëtare të bujqësisë. Një nga ndryshimet më të debatueshme ishte heqja e naftës pa akcizë, një skemë që zbatohej që prej vitit 2021.

Ministria e Bujqësisë argumentoi se lehtësitë për fermerët do të kompensoheshin përmes një skeme të re, e cila parashikon kompensimin e 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore, përmes autofaturave të blerjeve të lëshuara nga përpunuesit.

Ndryshimet rritën gjithashtu disa subvencione direkte dhe ulën pragjet e numrit të kafshëve që kërkohen për përfitimin e tyre. Subvencioni për lopët u rrit nga 10 mijë lekë në vitin 2025 në 12 mijë lekë për krerë në vitin 2026, ndërsa për bagëtitë e imëta mbështetja u rrit nga 1,200 në 1,500 lekë.

Pragu për fermat me lopë u ul nga jo më pak se 10 në jo më pak se 5 lopë, ndërsa për bagëtitë e imëta u përgjysmua nga 100 në 50 krerë.

Megjithatë, ndryshimet nuk u mirëpritën nga fermerët dhe blegtorët. Në fillim të prillit, qindra fermerë protestuan para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar ndër të tjera rikthimin e naftës pa akcizë dhe rritjen e subvencioneve për lopët.

Pas disa orësh protestë, një përfaqësi e fermerëve zhvilloi takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave, ku u diskutuan mundësitë për rishikimin dhe plotësimin e kërkesave në shtator.

Tashmë përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që ndryshimet të reflektohen përpara hartimit të paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2027. Në të kundërt, paralajmërojnë rikthimin në rrugë, këtë herë duke diskutuar edhe përfshirjen e traktorëve në protestë.