Skip to content
Kryesore

Flakët rrethojnë Gojanin e Vogël në Pukë, zjarri pranë banesave: Kërkohet evakuim urgjent

· 1 min lexim

Situata me zjarret në Pukë është rënduar ndjeshëm, ndërsa flakët po përparojnë nga fshati Gojan i Madh drejt Gojanit të Vogël dhe po iu afrohen banesave. Gjendja në terren raportohet kritike dhe rreziku për banorët po rritet me shpejtësi.

Gjatë gjithë natës, banorët kanë punuar me fadroma dhe mjete të tjera në përpjekje për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur shtëpitë. Pavarësisht ndërhyrjeve, flakët vijojnë të avancojnë.

Situata është veçanërisht shqetësuese në Gojanin e Vogël, i cili ndodhet mes dy vatrave të zjarrit. Të dyja vatrat po afrohen drejt zonës së banuar, duke e vendosur fshatin në një pozicion të rrezikshëm.

Sipas informacioneve nga terreni, nëse zjarri vijon të përparojë me të njëjtin ritëm, mund të nevojitet evakuimi i banorëve brenda një ore.

Gjendja raportohet aq e rënduar sa banorët nuk po përgjigjen më në telefon, ndërsa në terren vijojnë përpjekjet për të frenuar flakët dhe për të mbrojtur banesat.

Situata mbetet kritike, ndërsa minutat në vijim pritet të jenë vendimtare për Gojanin e Vogël dhe banorët e tij.