Skip to content
Kryesore

Aksident fatal në Durrës, 32-vjeçari me biçikletë përplaset për vdekje, shoferi arratiset

· 1 min lexim

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 32-vjeçari ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Shkozet-Shijak, në Durrës. Viktima, Vasil Hasani, po lëvizte me biçikletë kur u përplas nga një automjet, drejtuesi i të cilit u largua menjëherë nga vendngjarja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:15, në zonën e Rrashbullit. Si pasojë e përplasjes, 32-vjeçari humbi jetën në vend, ndërsa automjeti që e goditi dhe drejtuesi i tij ende nuk janë identifikuar.

Policia e Durrësit njoftoi se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shoferit që u largua pas aksidentit.

“Rreth orës 06:15, në aksin rrugor “Shkozet-Shijak”, në vendin e quajtur Rrashbull, një automjet ende i paidentifikuar ka përplasur biçiklistin, shtetasin V. H., 32 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, 32-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tij”, njoftoi Policia e Durrësit.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit fatal.