Sherr me gruan në makinë, shqiptari i jep gaz dhe përfundon në det me të! 45-vjeçari arratiset pas shpëtimit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në portin e Cattolica-s në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar përfundoi me makinë në det së bashku me gruan e tij, pas një konflikti të dhunshëm mes çiftit. Gruaja arriti të shpëtonte, ndërsa shqiptari, pasi mori ndihmën e parë, u arratis nga vendngjarja.
Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, rreth orës 16:00. Sipas mediave italiane, çifti ndodhej brenda një Volkswagen Golf, kur mes tyre shpërtheu një debat. Në kulmin e konfliktit, 45-vjeçari drejtoi automjetin me shpejtësi drejt kalatës, duke përfunduar bashkë me gruan në ujërat e portit.
Përplasja me ujin bëri që dyert e automjetit të hapeshin. Teksa Golf-i po fundosej, burri dhe gruaja arritën të dilnin nga kabina. Disa persona që ndodheshin aty u hodhën menjëherë në det dhe ndërhynë për t’i shpëtuar.
Në port mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe personeli mjekësor, të cilët u dhanë ndihmën e parë të dyve. Por situata mori një tjetër kthesë vetëm pak çaste më vonë. Sapo u përmend, 45-vjeçari shqiptar u largua me shpejtësi mes shkëmbinjve dhe humbi gjurmët, duke nisur kërkimet e autoriteteve italiane.
Gruaja, e cila ndodhej në gjendje shoku pas ngjarjes, u transportua në spital. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet e kanë shpallur në kërkim 45-vjeçarin, i cili rezulton të ishte i njohur për forcat e rendit. Vetëm një ditë më parë, të martën, ai ishte arrestuar nga karabinierët për rezistencë ndaj autoriteteve, pas një tjetër grindjeje me gruan.
Ndërkohë, operacionet vijojnë edhe në portin e Cattolica-s për nxjerrjen e Volkswagen Golf-it nga uji, ndërsa policia po punon për lokalizimin e 45-vjeçarit shqiptar.