Skip to content
Kryesore

Sherr mes të miturve në Tiranë, 28 adoleshentë me thika, kaçavida e maska

· 1 min lexim

Një konflikt i rëndë mes të miturve është parandaluar këtë të mërkurë në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku Policia ka ndërhyrë pasi ka lokalizuar 28 adoleshentë të ndarë në grupe, disa prej të cilëve mbanin me vete thika, kaçavida dhe maska.

Sipas Policisë së Tiranës, të miturit u konstatuan në rrugën “Llambi Bonata” dhe dyshohet se po përgatiteshin të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke parandaluar përplasjen dhe duke i shoqëruar të gjithë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Gjatë kontrollit fizik, disa prej të miturve iu gjetën armë të ftohta dhe mjete të mprehta, konkretisht thika dhe kaçavida. Policia sekuestroi gjithashtu disa maska që ata kishin me vete, të cilat, së bashku me mjetet e tjera, u morën në cilësinë e provës materiale.

Në total, në ngjarje janë përfshirë 28 të mitur të moshave nga 13 deri në 17 vjeç.

Veprimet procedurale ndaj tyre u zhvilluan në prani të prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, për të 28 të miturit nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.