Skip to content
Kryesore

Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil/ Pezullohen 2 policë, punonin “bodyguard” te “Principote”, nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin

· 2 min lexim

Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, pasi rezulton se ndodheshin në lokalin “Principote” kur nisi konflikti, por nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e tij.

Bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.

Sipas hetimeve, të dy ndodheshin në “Principote” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit 20-vjeçar. Ata kishin shkuar në lokal në rolin e “bodyguard”-ëve dhe ushtronin funksione sigurie në ambientet e tij.

Policia thotë se gjatë konfliktit ata nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjithashtu, pas ngjarjes nuk njoftuan autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.

Për këto arsye ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra. Ndërkohë, Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Edhe Romeo Shehu rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksione sigurie në “Principote”. Hetimet ndaj tij lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes.

Në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në lokal ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre, duke kërkuar verifikimin e veprimeve dhe mosveprimeve të kryera para dhe pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez.