E rëndë pas zjarrit në Hotel “Brooklyn”/ U dogj në 85% të trupit, 25-vjeçarja dërgohet për trajtim të specializuar në Turqi

25-vjeçarja A. D., e cila pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit nga zjarri që përfshiu Hotel “Brooklyn” në Vlorë, është nisur drejt Turqisë për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së saj të rëndë.
E reja ishte personi që pësoi dëmtimet më të rënda nga zjarri i 16 gushtit, i cili shpërtheu në orët e para të mëngjesit në hotelin ku ajo po qëndronte për pushime. Pas ngjarjes, 25-vjeçarja u transportua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku qëndroi nën kujdes intensiv të ekipeve të terapisë intensive.
Pas përfundimit të procedurave mjekësore dhe administrative nga QSUT, në bashkëpunim dhe koordinim me Ambasadën e Turqisë dhe autoritetet shëndetësore turke, është bërë i mundur transferimi i saj drejt një spitali në Turqi, ku do të vijojë trajtimin e specializuar.
Zjarri në Hotel “Brooklyn” la të lënduar gjashtë pushues, pesë shtetas të Kosovës dhe një nga Rrësheni. Dy prej tyre pësuan djegie të konsiderueshme, ndërsa disa pushues, të gjendur mes flakëve dhe tymit, u detyruan të hidheshin nga kati i dytë për të shpëtuar. Një tjetër i lënduar, 30-vjeçari A. K., pësoi djegie në rreth 30% të trupit.
Sipas të dhënave për ngjarjen, flakët nisën në ambientet e restorantit si pasojë e djegies së prizës elektrike të frigoriferit dhe më pas u përhapën në godinë.
Shpenzimet për trajtimin e 25-vjeçares në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.