Skip to content
Kryesore

Vrasja në Ksamil/ Dhjetëra të shoqëruar, dyshohet se një polic ndihmoi autorin

· 3 min lexim

Detaje të reja po dalin në dritë nga vrasja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil. Dhjetëra persona janë shoqëruar në Komisariatin e Sarandës dhe pritet të merren në pyetje, ndërsa mes tyre raportohet se ndodhet edhe një efektiv policie, i cili dyshohet se mund të ketë ndihmuar autorin e dyshuar të largohej nga vendngjarja.

Për krimin është arrestuar 29-vjeçari S. V., i cili dyshohet se goditi për vdekje me thikë të riun në zonën e plazhit në Ksamil. Hetimet janë zgjeruar tashmë edhe te personat që mund ta kenë ndihmuar pas ngjarjes, ndërsa pritet që pas përfundimit të veprimeve të para hetimore të ketë një njoftim të plotë nga Policia.

Mes personave të shoqëruar raportohet se është edhe një efektiv policie. Dyshimet janë se ai mund të ketë ndihmuar 29-vjeçarin të largohej pas vrasjes. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia për rolin konkret të efektivit apo përgjegjësinë e tij të mundshme.

Nën hetim është gjithashtu roli i dy shtetasve turq që ndodheshin në automjetin ku u kap autori i dyshuar. Sipas Policisë, 29-vjeçari u kap ndërsa dy shtetasit turq po e transportonin në drejtim të Tiranës.

Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me identitetin e viktimës. Policia ka korrigjuar informacionin e dhënë në orët e para pas krimit, duke sqaruar se viktima nuk ishte shtetas francez, siç u raportua fillimisht, por shtetas portugez.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:

Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit dhe për të përcaktuar nëse persona të tjerë kanë ndihmuar 29-vjeçarin pas vrasjes.