Hije dyshimi mbi “One Albania”/ 4iG nën lupë në Hungari, çfarë rrezikojnë shqiptarët?

Zhvillimet që kanë tronditur grupin hungarez 4iG, pronarin e “One Albania”, ngrenë pikëpyetje serioze edhe në Shqipëri, ku kompania kontrollon një pjesë të konsiderueshme të tregut të telekomunikacionit dhe u ofron shërbime qindra mijëra qytetarëve.
Në Hungari, kryeministri Péter Magyar ka vënë në shënjestër kontratat shtetërore të 4iG, duke urdhëruar një rishikim të thellë të marrëveshjeve të lidhura mes kompanisë dhe shtetit gjatë qeverisjes së mëparshme. Në qendër të vëmendjes janë kontratat publike dhe dyshimet për mënyrën se si janë përdorur fondet shtetërore.
Goditja u reflektua menjëherë edhe në bursë, ku aksionet e 4iG pësuan rënien e tyre më të madhe brenda një dite pas sinjalizimeve për hetimin e kontratave të kompanisë.
Por ajo që ndodh me 4iG nuk është një histori e largët vetëm e Hungarisë. Grupi është pronari i One Albania, një prej operatorëve më të fuqishëm të telekomunikacionit në Shqipëri. Për këtë arsye, problemet që prekin kompaninë mëmë ngrenë pikëpyetje edhe mbi ekspozimin e tregut shqiptar dhe mbi kontrollin që institucionet shqiptare ushtrojnë ndaj një operatori me një peshë kaq të madhe.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga CNA, “One Albania” ka rreth 1.25 milionë pajtimtarë aktivë në telefoninë celulare, duke zotëruar afërsisht 50% të tregut. Në internetin mobile numëron rreth 910 mijë abonentë, ose afërsisht 45% të tregut.
Pozita e saj është edhe më e fortë në telefoninë fikse. Pas bashkimit me Albtelecom, kompania ka arritur në rreth 120 mijë pajtimtarë, duke kapur rreth 80% të këtij tregu. Në internetin fiks numëron rreth 152 mijë pajtimtarë, që përfaqësojnë afërsisht 22% të tregut.
Edhe shifrat financiare tregojnë fuqinë që ka marrë kompania. Për vitin 2025, të ardhurat nga shërbimet fikse kanë arritur në rreth 3 miliardë lekë, ose afro 30 milionë euro, duke zënë rreth 27% të tregut të shërbimeve fikse, ku përfshihen telefonia dhe interneti.
Ndërkohë, fitimet e “One Albania” kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm. Sipas raportimeve të CNA ndër vite, nga rreth 70 milionë lekë fitim në vitin 2023, kompania kaloi në 480 milionë lekë në vitin 2024, ndërsa në 2025 fitimi u ngjit në rreth 1.7 miliardë lekë.
Pra, brenda vetëm dy viteve, “One Albania” ka kaluar nga 70 milionë në 1.7 miliardë lekë fitim, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të paguajnë tarifa të larta për telefoninë celulare dhe internetin.
Pikërisht këtu lind shqetësimi kryesor. Në Hungari, shteti ka nisur të kontrollojë kontratat e 4iG dhe marrëdhëniet e saj me institucionet publike. Në Shqipëri, ndërkohë, mungon transparenca mbi ndikimin që zhvillimet në kompaninë mëmë mund të kenë mbi “One Albania”, ndërsa operatori vijon të ketë marrëdhënie të ngushta kontraktuale me institucione publike dhe të përfitojë tendera, përfshirë edhe nga Bashkia e Tiranës.
Hetimet dhe kontrollet ndaj 4iG në Hungari nuk provojnë automatikisht shkelje nga “One Albania” në Shqipëri. Por përballë fuqisë që kjo kompani ka grumbulluar në tregun shqiptar, çështja nuk mund të trajtohet thjesht si një problem i brendshëm hungarez.
Kur një kompani u shërben mbi një milion shqiptarëve, kontrollon pjesë të mëdha të telefonisë dhe internetit dhe gjeneron fitime rekord, çdo tronditje që prek pronarin e saj ngre pyetje që kërkojnë përgjigje edhe në Tiranë: Çfarë rrezikojnë abonentët shqiptarë nëse problemet e 4iG thellohen dhe kush po kontrollon sot “One Albania” për të garantuar interesat e qytetarëve?