Skip to content
Kryesore

Vritet me thikë 20-vjeçari francez në Ksamil, autori i dyshuar nga Hasi, me precedentë për drogë në Angli

· 3 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku një turist francez rreth 20 vjeç është gjetur i pajetë në shezlongët e plazhit, përpara një lokali. Viktima është identifikuar si Miguel Mendes, ndërsa për vrasjen dyshohet 29-vjeçari nga Hasi, Sokrat Vata, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe po kërkohet nga Policia.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Sarandës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15. Dyshohet se mes 20-vjeçarit francez dhe Vatës ka pasur një konflikt për motive të dobëta, gjatë të cilit i riu është goditur me mjet prerës, thikë.

Policia njofton:

“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë). Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”.

29-vjeçari i dyshuar për vrasjen rezulton një person me precedentë penalë në Angli. Sokrat Vata ishte arrestuar pasi ishte përfshirë në dy raste të ndjekjes nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Më 30 prill, policia në Kembrixh e pikasi Vatën duke drejtuar një automjet tip “Toyota” të vjedhur. Ai tentoi të largohej, ndërsa pasagjeri zbriti nga automjeti dhe Vata vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, ai hodhi një pako me kokainë në shkurre, por u kap nga efektivët.

Gjatë kontrollit iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtimin e automjetit nën efektin e drogës.

Një tjetër episod kishte ndodhur më 13 prill në Kent, kur Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Brenda makinës u gjetën qese me kokainë dhe targa.

Pas arrestimit, Vata përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg.

Tashmë 29-vjeçari dyshohet si autor i vrasjes së turistit francez në Ksamil. Pas krimit ai është larguar nga vendngjarja, ndërsa shërbimet e Policisë po kryejnë kontrolle për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.