Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 79-të, kërkohet dorëheqja e Ramës

Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e 79-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish për të çuar deri në fund qëllimin e tyre.
Tubimet nisën fillimisht si reagim i drejtpërdrejtë ndaj situatës së krijuar në Zvërnec, por më pas kërkesat e protestuesve u zgjeruan, duke vendosur në qendër largimin e kryeministrit. Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, qytetarët kanë vijuar të bëjnë thirrje për ndryshim.
Në protestat e zhvilluara gjatë këtyre 79 ditëve janë bashkuar qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, mes tyre fëmijë, të moshuar, studentë, profesionistë dhe aktivistë, ndërsa në tubime kanë qenë të pranishëm edhe turistë.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa, mes të cilave dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese.
Tubimet janë shoqëruar edhe me marshime në rrugët kryesore të Tiranës. Gjatë tyre, qytetarët janë ndalur pranë disa institucioneve, përfshirë SPAK-un, të cilit protestuesit i janë drejtuar si institucioni që mund të vendosë drejtësinë.
Gjatë protestave të deritanishme, qytetarët kanë brohoritur njëzëri: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen” dhe “Ju erdhi fundi”.
Edhe sot, në ditën e 79-të të protestës, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të vijuar kërkesat e tyre, me dorëheqjen e kryeministrit Rama si kërkesën kryesore të tubimit.