Droga te të rinjtë, 60% e të trajtuarve me metadon me probleme të shëndetit mendor

Tragjedia në Korçë, ku një 21-vjeçar u ekzekutua nga një 20-vjeçar, ka rikthyer në vëmendje një realitet shqetësues që lidhet me përdorimin e drogës, armëve dhe përfshirjen e të rinjve në akte dhune.
Pamjet e publikuara pas ngjarjes, ku shokë të autorit shfaqen duke qëlluar me armë zjarri në pyll, si dhe fotografitë ku të rinj pozojnë në rrjetet sociale me armë dhe substanca narkotike, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi përhapjen e këtyre fenomeneve dhe mekanizmat e kontrollit e parandalimit.
Në këtë kontekst, të dhënat nga Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon në Korçë nxjerrin në pah një tjetër problem. Mjeku psikiatër Roland Lalaj tha për CNA se rreth 60% e personave që trajtohen në këtë strukturë kanë edhe probleme të shëndetit mendor, kryesisht çrregullime të personalitetit dhe të humorit.
“Dua të përmend dhe një fakt tjetër që ne hulumtojmë dhe në aspektin e shëndetit mendor dhe duhet të dimë një gjë, që rreth 60% të paktën nga depistimet që kemi bërë ne dhe nga hulumtimet dhe nga intervistat që bëjmë me këta klientë, janë me probleme të shëndetit mendor. Dhe kryesisht me probleme të çrregullimit të personalitetit apo dhe çrregullime të humorit”, tha mjeku.
Njësia funksionon prej rreth dy vitesh nën administrimin e shtetit dhe në varësi të Spitalit Rajonal të Korçës. Krahasuar me majin e vitit 2024, numri i personave që marrin metadon është ulur me rreth një të tretën.
“Duhet të them që ka rreth dy vjet që Njësia e Trajtimit Mbajtës me Metadon, nga një shoqatë që e ka menaxhuar këtë njësi, ka kaluar në varësi të shtetit, të Spitalit Rajonal Korçë. Nëse bëjmë një histori të situatës si ka qenë në atë kohë, para dy vitesh dhe sot, natyrisht janë ndryshime shumë esenciale pozitive. Kemi pasur një numër të konsiderueshëm, po flas në maj të vitit 2024 dhe sot, pas dy vitesh e dy-tre muajve, shohim që numri i personave që trajtohen në Njësinë e Trajtimit Mbajtës me Metadon të Korçës është 1/3 më pak”, shprehet Lalaj.
Metadoni përdoret si trajtim zëvendësues për personat me histori të përdorimit të heroinës dhe opiateve. Krahas trajtimit të varësisë, pacientët marrin mbështetje psikologjike dhe këshillim, ndërsa punohet edhe me familjarët dhe institucionet për riintegrimin e tyre social dhe punësimin.
Në strukturë trajtohen persona nga mosha rreth 20 vjeç deri në 65 vjeç. Mbi 60% e pacientëve që marrin metadon janë deri në moshën 40 vjeç.
“Ne kemi, në kufirin më të madh të moshës, një 65-vjeçar, është kufiri më ekstrem, dhe kemi pothuajse të gjitha moshat, duke përfshirë nga mosha 20-vjeçare. Por përqindjen më të madhe të personave që trajtohen me metadon janë individët që kanë grupmoshat deri në 40 vjeç. Janë mbi 60% e këtyre personave që trajtohen me metadon”, thotë Lalaj.
Një tjetër problem lidhet me sëmundjet infektive. Për shkak të historisë së përdorimit të substancave përmes injektimit dhe shkëmbimit të materialeve të infektuara, te një pjesë e pacientëve është evidentuar hepatiti C dhe hepatiti B. Për këtë arsye, njësia kryen depistime dhe i orienton pacientët drejt specialistëve të sëmundjeve infektive.
Sa i përket rrezikshmërisë së personave me probleme të shëndetit mendor, Lalaj thekson se ata nuk kryejnë më shumë vepra penale sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Situata ndryshon, sipas tij, kur problemet e shëndetit mendor shoqërohen me përdorimin e substancave psikoaktive.
“Por, natyrisht, duhet ta evidentojmë që nëse këta persona që kanë probleme të shëndetit mendor, të diagnozave të përmendura apo të ngjashme, por janë nën ndikimin e përdorimit të substancave, e keni parasysh substancat psikoaktive, atëherë është e mundur, është risku për të bërë vepra që bien ndesh me normat dhe moralin e sjelljes shoqërore. Këtu ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për t’i mbajtur gjithmonë në observim, për të minimizuar veprat penale”, thotë mjeku psikiatër.
Të dhënat tregojnë se varësia nga droga nuk mbetet një problem i izoluar. Ajo ndërthuret me shëndetin mendor, sëmundjet infektive dhe vështirësitë sociale, ndërsa prania e personave që në të 20-at mes atyre që kërkojnë trajtim e rikthen vëmendjen te nevoja për parandalim dhe ndërhyrje sa më të hershme.